Mbillen pemë në kodrën që rrezikohet nga erozioni, Veliaj: Të rikuperojmë dëmin
Me rastin e 97-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, nxënës të shkollës së Lalmit, vullnetarë të “Qendrës Rajonale Rinore Tiranë”, punonjës të Bashkisë së Tiranës, si dhe banorë të zonës, mbollën sot 1000 fidanë të rinj në Parkun e Liqenit të Vaqarrit, bën të ditur zyra për shtyp e bashkisë së Tiranës. Aksionit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se bë kodrën e Lalmit, ka pasur erozion dhe “toka ka rrëshqitur prej faktit që u prenë pemët”.
“Nëse nuk kemi kuptuar formulën që çdo brez ka për detyrë t’i lërë një faturë sa më të ulët dhe një pajë sa më të mirë dhe të shtrenjtë brezit tjetër, do të thotë s’kemi bërë asgjë. Ndaj, jam këtu për ta inkurajuar këtë sipërmarrje për të mbjellë pemë. Më vjen mirë që sot mbjellim disa mijëra fidanë pishash, në një vend ku komuniteti në vitet ’90 i preu dhe – siç e shikoni – ka marrë me vete një pjesë të madhe të kodrës, duke iu afruar shtëpive, për të rikuperuar atë që mundemi. Shpresoj që 97 apo 100 vitet e ardhshme të Shërbimit Pyjor t’i gjejë ata me aleatë në gjithë popullatën”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se mbjellja e pemëve nuk duhet të jetë monopol vetëm i institucioneve shtetërore dhe ftoi qytetarët e bizneset që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuar për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbëruar.