Mbillet një pemë në nder të Klodian Rashës, i ati: M’u përgjysmua dhimbja, do jetë i paharruar emri i djalit tim
Pas emërtimit të rrugës “Klodjan Rasha” pranë shtëpisë ku u vra 25-vjeçari nga polici Nevaldo Hjadaraj, familja ka mbjellë një pemë në ndër të tij. I ati, Qazim Rasha i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj kanë mbjellë një pemë ulliri në Parkun “Europa” në Sheshin Skëndërbej.
Qazimi falenderoi kryebashkiakun Veliaj, duke thënë se ai bëri të mundur që dhimbja e tij të përgjysmohej dhe se emri i të birit do të mbetet i paharruar.
“Falënderoj nga zemra, që nga dita e parë deri në ditën e 50 të sotmet, të gjithë ata që na kanë nderuar. Falënderoj kryetarin e Bashkisë që bëri të mundur që dhimbja ime të përgjysmohet. Tirana është shpirti jonë, është zemra jonë, është krenaria jonë dhe kjo duhet mbajtur me ballin lart. Ta mbjellim një lule, jo ta dëmtojmë atë. Veprime të tilla i shërbejnë brezave. Do të jetë i paharruar emri i djalit tim, por edhe djali juaj do të krenohet nesër”, tha Qazim Rasha.