Mblidhet Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar/Kushi: Në fokusin tonë është garantimi i cilësisë në mësimdhënie e mësimnxënie
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, këtë të martë zhvilloi një takim me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar rreth sfidave të pandemisë në arsim. Përmes një postimi në facebook, Kushi nënvizon se përtej efekteve të papritura të kësaj periudhe të pazakontë, janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që procesi mësimor të mos ndalet në asnjë moment. Gjithashtu, ajo përmend disa prej masave të ndërmarra përgjatë pandemisë, të cilat kanë pikërisht në fokus gjithëpërfshirjen dhe garantimin e cilësisë në mësimdhëne e mësimnxënie.
Postimi i plotë
Në takimin e zhvilluar me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar diskutuam rreth sfidave kryesore me të cilat arsimi parauniversitar është duke u përballur në kushtet e pandemisë Covid-19.
Përtej efekteve të papritura të kësaj periudhe të pazakontë, janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që procesi mësimor të mos ndalet në asnjë moment.
Kanali i dedikuar “RTSH Shkollë”, platforma “Akademi.al”, trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve për të përballuar situatën, garantimi i mjediseve të sigurta shkollore sipas protokolleve anti-covid, 1,000 mësues shtesë, dyfishimi i punonjësve të shërbimit psikosocial, shpërndarja e tabletave digjitale për nxënës në nevojë e nxënës të klasave kolektive, janë disa prej masave të ndërmarra për garantimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në mësimdhënie e mësimnxënie.