Mblidhet KLP/Arta Marku rikthehet në Tiranë, ja ku caktohet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur paraditen e kësaj të premte, për të miratuar emërime të reja të përkohshme të 6 prokurorëve. Në mbledhjen online, ish-prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku nga hetuese në Shkodër është caktuar që të ushtrojë detyrën e saj në Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit.

Në rrethe, disa prej prokurorëve të organeve hetuese janë vendosur që të drejtojnë institucionet ku ushtrojnë detyrën. Kreshnik Ajazi është caktuar që të drejtojë Prokurorinë e Elbasanit por pa vendosur një limit kohor për të. Hetuesja Rita Gjati është caktuar që të drejtojë Prokurorinë e Kukësit; Arben Dyla është vendosur në krye të Prokurorisë së Lushnjes, ndërsa Violeta Shkurta do të drejtojë Prokurorinë e Fierit.

Hetuesja Alma Bramos, e cila aktualisht ushtron detyrën si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, i është “besuar” një vend në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës. Gjatë mbledhjes së sotme, KLP ka vendosur që t’i japë leje të papaguar prokurorit Bujar Hoxha. Leja për të fillon nga data 1 deri më 15 korrik të këtij viti.

SHKARKO APP