Mblidhet Komisioni Hetimor për Metën, thirret Ardian Dvorani
Komisionii Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është mbledhur këtë të premte, ku është thirrur për t`u marrë në pyetje kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Ky i fundit është paditur në SPAK nga Presidenti Ilir Meta, i cili e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”. Kreu i KED akuzohet nga Presidenti se “ka tentuar të bëjë grusht shtetit”, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni Hetimor për Metën nisi punën gjatë vitit të kaluar, ku synon të hetojë veprimet e Presidentit, që me çdekretimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i opozitës në Parlament, Adriatik Alimadhi deklaroi se ende nuk ka mbaruar objekti i pare i hetimit, ndërkohë theksoi se Dvorani është thirrur për zgjerimin e këtij hetimi.
“Ende nuk ka mbaruar objekti i parë i hetimit. Dvorani është thirrur për zgjerimin e hetimit. Duhet të mbarojë hetimi për dekretin e zgjedhjeve”, tha Alimadhi.
Këtë kërkesë e ka mbështetur dhe deputeti tjetër opozitar, Alban Zeneli.
“Ne në mbledhjen e fundit shtuan në objektin hetimor emërimin e antërtarëve të Kushtetuese. Ne nuk nuk ishim dakord. Ju e vendosët me shumicë votash. Pavarësisht dëshirës dhe votave tona kjo është shtuar pavarësisht dëshirave që ne kemi si opozitë. Ne nuk mund t’i shmangemi. Do marrim pjesë në këtë debat për të qartësuar opinionin publik me atë që ka ndodhur”, deklaroi Alban Zeneli.
Ndërkohë, kryetrari i Komisionit Hetimor Ulsi Manja tha se mazhoranca kërkoi zgjerimin e objektit të hetimit për presidentin Meta, në lidhje me me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në këto kushte, Ulsi Manja rrëzoi kërkesën e Alimadhit për të thirrur edhe përfaqësues të institucioneve të tjera që lidhen me dekretet e Presidentit.
Por, pas fjalës së Ulsi Manjës, Alimadhi reagoi përsëri duke kërkuar që Komisioni Hetimor të fillojë procedurën e pyetjeve me përfaqësues të institucioneve pasi Venecia të publikojë opinionin e saj në lidhje me shkeljet kushtetuese të Presidentit.