Mbrëmje spektakolare në Top Channel. Denisi, zëri më i mirë në “The Voice Kids”

Denisi është zëri. Zëri më i mirë i Shqipërisë për fëmijë dhe fituesi i kupës së artë të “The Voice Kids” u shpall konkurrenti i skuadrës Miriam, Denis Bonjaku.

Kështu kulmoi spektakli i madh në ekranin e Top Channel, me shpalljen e fituesit në një natë me gjashtë konkurrentë, e gjitha nëpërmjet votave të publikut.

Ndërsa përballja e fundit për të ishte me Frensin dhe Ritën.

Pak më herët, surpriza e mbrëmjes ishte interpretimi i një prej këngëtareve më të pëlqyera për momentin, Elvana Gjatës. Ajo erdhi me tre këngë nga albumi i fundit “3”, në një skenë ku fëmjët shpesh kanë kënduar këngët e saj.

Finalistët ishin të ndryshëm në stil në finalen e madhe.

Sindi me “Don’t Speak” e zotëroi totalisht skenën. Denisi tregoi edhe njëherë që është një zë drithërues. Klea u dallua për energjinë e saj në interpretim. Rita po ashtu ishte mjaft e saktë dhe me emocion. Ana u shfaq si asnjëherë më parë, duke interpretuar në piano dhe konfirmoi se ishte një fëmijë fenomen i këtij spektakli. Frensi tregoi se është e adoptueshme në çdo rrymë muzikore.

Gjashtë finalistët e nisën mbrëmjen me një kolazh të “I Like to Move It”, “I’m a Believer” dhe “Get Down”.

Ndërsa e gjithë finalja ka qenë “live” në faqen zyrtare të “The Voice Kids” në Facebook. Gjithçka është pasqyruar në “The Voice Room”, së bashku me emocionet e konkurrentëve.

“The Voice Kids” do të rikthehet së shpejti dhe tashmë janë hapur aplikimet “online” për të gjithë ata që duan të jenë pjesë në këtë aventurë për të provuar zërin e tyre.

Top Channel

SHKARKO APP