Mbrojtja e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, KE vërejtje Shqipërisë
“Mbrojtja e fëmijëve dhe përfshirja në shoqëri e personave me aftësi të kufizuara është përmirësuar në Shqipëri, por autoritetet ende duhet të adresojnë mangësitë e mbetura”.
Kështu është shprehur ditën e sotme, Dunja Mijatović, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, teksa publikoi raportin mbi vizitën e saj në vendin tonë nga data 21 deri më 25 maj 2018.
Komisionerja u përqendrua kryesisht në të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara si edhe në qasjen e ndihmës juridike falas.
Ndonëse Shqipëria ka ndaluar të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve, duke përfshirë edhe dhunën fizike, Komisionerja mbetet e shqetësuar për shkallën e lartë të dhunës që ende raportohet.

“Autoritetet duhet ta trajtojnë këtë problem në një mënyrë më sistematike dhe më efektive. Për këtë qëllim, ata duhet të miratojnë dhe zbatojnë një strategji të koordinuar, të implementojnë rekomandimet e Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Europës mbi “Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, të forcojnë kapacitetet e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe profesionistët e arsimit për të identifikuar dhe për t’ju përgjigjur dhunës, si edhe të nxisin format pozitive dhe jo të dhunshme të rritjes së fëmijëve”, cilëson raporti.
Një çështje tjetër shqetësuese është se rreth 700 fëmijë ende jetojnë në institucionet e kujdesit, ndonjëherë për periudha shumë të gjata kohore pa ndonjë perspektivë të qartë për t’u larguar para se të bëhen të rritur.
Duke nënvizuar se standardet e Këshillit të Evropës kërkojnë që vendosja e fëmijëve në institucione të tilla të mbetet në rrethana të jashtëzakonshme, komisionerja Mijatović rekomandon përshpejtimin e procesit të deinstitucionalizimit dhe parandalimin e vendosjes së fëmijëve në kujdesin shtetëror, duke përfshirë më shumë mbështetje për familjet që rrisin fëmijët e duke zhvilluar një sistem efektiv të shërbimeve familjare.
KOHA JONË SONDAZH

