Mbyllen 13 të martat në Kishën e Laçit, i pranishëm edhe Frendo e Baba Mondi
Prej ditësh, krahina e Kurbinit, dhe trevat përreth përjetojnë festën e madhe të “Shon Ndou”, për të cilën besimtarët kurrë nuk i ndalën lutjet e tyre edhe kur regjimi komunist kishte ndalur zërin e altarit të shenjtë, dhe kur lutjet për Zotin ishin kthyer në apateozë.
Kanë ditë që besimtarët që ndodhen dhe flenë pranë malit. Pranë tempullit luten dhe ndezin qirinj për të adhuruar të shenjtin Anton si dikur që e panë atë si një shpresë për jetën.
George Anthony Frendo, që celebroi meshën e kësaj dite të shenjtë tha se kjo është një ditë e shënuar për të gjithë njerëzimin.
“Kjo festë tërheqë jo vetëm katolikët, por të gjithë besimet”.- tha ai.
Këtë ngjarje e përshëndeti dhe Kryegjyshi botëror Edmond Brahimaj, njëherësh dhe kryetari i Këshillit ndërfetar të Shqipërisë.
“Uruam vëllezërit tanë katolikë për këtë ditë të shenjtë. Njerëzit këtu vijnë pa dallim feje për të kërkuar ndihmën e këtij shenjtorit.”- tha ai.
Lutjet dhe adhurimet për të shenjtin Anton janë të pafundme, ka dhe nga ata që nuk munguar kurrë asnjëherë, edhe kur përndiqeshin nga regjimi.
“Kam ardhur fshehurazi, po na viheshin mbrapa komunistat”
“Kam ardhur edhe në kohët që ishin shumë të vështira, kishat ishin të prishura, por ne vinim dhe luteshim të shenjti “Shon Ndou” që të na ruje fëmijët dhe të na mbrojë nga çdo rrezik.”
Shenjti Anton sot është shenjti i të gjithëve.
“Kemi ardhur nga Kosova, për t’u lutur për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve dhe familjeve tona”.
Shën Antoni, i njohur ndryshe dhe si Shën Antoni i Patovës, është një meshtar katolik portugez. Shën Antoni nderohet sot në botë si shenjti i mbrojtjes së gjithëve, ku mrekullitë e tij, ndriçojnë dhe japin shpresë për jetën.