Mbyllen 1600 biznese, pandemia uli shitjet në dyqanet e Korçës
Pandemia nga Covid-19 ka ndikuar negativisht tek bizneset e vogla edhe në qytetin e Korçës. Blerjet në njësitë tregtare krahasuar me një vit më parë kanë rënë ndjeshëm.
Pas shumë përpjekjeve për të intervistuar disa nga shitësit e qendrës tregtare të pazarit të vjetër, askush nuk ka pranuar duke rrëfyer kështu jashtë kamerave frikën se inspektoriate të ndryshme mund të vijnë për t’i gjobitur në rast se ata flasin për televizionin tonë. Jashtë kamerave shitësit e kësaj qendre tregtare shprehen se rreth 70% e mallit të tyre ka ngelur stok.
Përveç ndihmës nga shteti me pagat e luftës në nisje të pandemisë, biznesi në Korçë nuk ka marrë ndihmë tjetër ekonomike. Sipas nënkryetarit të shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri qeveria duhet të mendojë ndihma të tjera ekonomike për bizneset pasi janë drejt falimentimit.
”Vetëm në dy vitet e fundit në Korçë janë mbyllur 1600 biznese që janë të evidentuara në INSTAT. Mos harrojmë që ka më shumë biznese të mbyllura që kanë pushuar biznesin e tyre por nuk i mbyllin dot. Ekzistojnë sikur janë të hapura vetëm për efekt të një ligji që çdo biznes që ka detyrim karshi tatimeve apo bashkisë etj dhe nuk e mbyll dot aktivitetin e tyre. Në çështjen e butiqeve apo veshjeve e tregjeve ushqimoreve ka rënie drastike prandaj i bëjmë thirrje qeverisë nëpërmjet televizionit tuaj të ndërhyjë me një paketë financiare për të ndihmuar biznesin e vogël për tu zhvilluar ekonomia”,-thotë Bujar Muço.