Mbyllen pavionet e Covid në rrethe
Nisur nga situata e qëndrueshme dhe ulja drastike e shifrave të Covid-19, ka bërë që repartet Covid në spitalet e rretheve të mbyllen. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një inspektimi në spitalin e Elbasanit, aty ku ishte e shoqëruar nga Taulant Balla, tha se prej dy javësh situata në vend është e qëndrueshme, ndërsa sfidë tashmë mbetet shërbimi shëndetësor post-covid për pacientët të cilët shfaqin patologji të ndryshme.
”Mbyllja e pavijoneve në spitalet rajonale rikthen në një situatë normaliteti këto spitale dhe flasim këtu për Spitalin Rajonal të Elbasanit, i cili sot nuk ka më pacientë të shtruar. Rastet të cilat do të vijnë të triazhohen në spitalin e Elbasanit do të referohen në spitalin Covid 1, në Tiranë. Ashtu sikurse janë në një proces të mbylljes edhe pavijoni i infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ai në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Këto ishin tre spitalet apo tre pavijonet në tre spitalet rajonale që i’u përgjigjën skenarit të dytë”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja po ashtu bëri me dije se këto dy ditë do të vlerësohet lehtësimi i masave aktuale. ”Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke vlerësuar në dinamikë situatën. Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe përsa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryetari i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Elbasanit ,Gledian Llatja kanë vlerësuar punën e stafeve mjekësore në përballjen me Covid-19.