Mbyllet fushata elektorale, nesër ka heshtje zgjedhore dhe të dielën do votojnë 3 milion e 600 mijë qytetarë
Mbrëmja e kësaj të premteje, u mbyll edhe fushata elektorale. Kryeministri Edi Rama ishte fillimisht në Shkodër dhe më pas në Durrës, ndërsa Berisha dhe Meta zgjodhën Tiranën. Nga Durrësi, kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur për fitore. Ai tha se Emiriana Sako do të fitojë me një diferencë të madhe krahasuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.
Ilir Meta ishte i ashpër në fjalimin e tij në takimin përmbyllës të fushatës në Tiranës. Duke i quajtur kryebashkiakët “gomerë”, Meta tha se ato të gjithë kontrollohen nga një njeri dhe ai është kryeministri Edi Rama. Kur iu referua si “gomerë” tha se këtë emërtim ua ka vënë vetë Rama dhe ata e kanë pranuar, e pikërisht për këtë thotë se në 14 maj do duhet t’i jepet fund kësaj mënyre të qeverisjes vendore.
Në anën tjetër, Berisha u shpreh i sigurt se ia kanë dalë të bindin shqiptarët për të votuar më 14 maj kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. “Kandidatët e primareve janë kandidatët e fitores, janë kandidatët e lirisë. Sonte është një natë e veçantë në historinë e përpjekjeve tona për liri e dinjitet. Ne ia dolëm të bindim shqiptarët. Ne ia dolëm të takojmë shqiptarët, të bisedojmë me ta, të vendosim së bashku me 14 maj të votojnë ndryshimin”, u shpreh Berisha.
Dita e shtunë do të jetë heshtje zgjedhore. Të dielën procesi i votimit do të nisë në orën 7 dhe do të mbyllet në orën 19:00. Mbi 3 milionë e 600 mijë shqiptarë do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre për të zgjedhur drejtuesin lokal, i cili do t’i qeverisë ata për 4 vitet e ardhshme.