Mbyllet mbledhja, Basha pyetet nga gazetarët për vulën që e mori Berisha: Fola njëherë në fillim
Pas mbledhjes me grupin e tij, Lulzim Basha nuk dha asnjë qëndrim shtesë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ti dhënë vulën e PD-së, Sali Berishës. ”Gjithçka ju thash në hyrje vazhdon të qëndrojë, do vazhdojmë mbledhjen me kolegjin”,-tha Basha.
Teksa hynte në seli, Basha foli për të parën herë pas verdiktit të Apelit duke thënë se nuk do të komentojë vendimet e gjykatave, por nënvizoi se grupimi i tij do të vijojë betejën politike.
“Nuk komentoj vendimin e gjykatave, ky është një standard i imi, i yni si PD për të cilin kemi thënë që do ti përmbahemi edhe në rastin e vendimit të Gjykatës së Apelit. Ajo që dua t’u them demokratëve që janë mërzitur me këtë vendim, pasi prisnin një vendim tjetër, ju them që të mos mërziten, të mos dëshpërohen sepse në fund të fundit këtë betejë as nuk e kemi nisur, as e vazhdojmë për logo, për vulë, apo për karrige.
Jemi bërë bashkë për një betejë më të madhe. Kjo është një betejë shpirtrash të bashkuar për idealet e dhjetorit. Sot është më e qartë se kurrë që Shqipëria meriton, ndryshe, meriton më mirë dhe më shumë. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që të mos shpërdorojmë këtë besim shpirtrash, të qindra mijëra njerëzve. Do të vazhdojmë betejën tonë për një Shqipëri më të mirë”,-tha Basha.
Për vendimet që do të merren në vijim, Basha tha se do të diskutojë me kolegët. I pyetur se si ndihet tani që nuk gëzon më postin e kryetarit të PD dhe është vetëm një deputet, Basha tha se kurrë nuk e kanë ndryshuar ofiqet apo titujt.
“Nuk e kam ndjerë veten ndryshe prej titujve dhe ofiqeve. Kam qenë Lulzim Basha para se të hyja në politikë, jam Lulzim Basha sot dhe do të jem në çfarëdo pozite tjetër. Ajo që më lidh me njerëzit nuk është titulli, ofiqi apo logoja, por është përkushtimi për një Shqipëri më të mirë që meriton më shumë”.