Mbyllet me akte dhune mitingu i opozitës. Reagon Rama: Turp për PD!

 

Protesta e Partisë Demokratike është mbyllur sot rreth orës 15:00. Tubimi i demokratëve nisi në orën 11:00 dhe fillimisht u zhvillua pa incidente. Por rreth orës 12:00 një grup protestuesish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sulmuan me vezë, bojë dhe tymuese godinën e Kryeministrisë. Disa prej tyre tentuan të hyjnë në ambientet e brendshme, por u ndaluan nga policia. Protestuesit thyen dhe xhamat e dritareve të kryeministrisë dhe të derës kryesore.

Më pas protesta ka vijuar para Ministrisë së Brendshme, me qëllimin për të shkatërruar një bunker artistik që është ngritur gjatë muajve të fundit nga institucionet qeveritare para oborrit të Ministrisë së Brendshme. Në këtë moment protestuesit kanë sulmuar dhe Ministrinë e Brendshme duke thyer xhamat dhe duke ndezur zjarr brenda bunkerit. Forcat e policisë janë tërhequr nga ruajta e objektit duke shmangur një përplasje me protestuesit.

Për rreth 1 orë para Ministrisë së Brendshme është krijuar një situatë e tensionuar dhe gati shpërthyer. Në orën 15:00 protestuesit janë tërhequr nga zona para Ministrisë dhe janë tubuar para selisë së PD, ku kreu i saj Lulzim Basha mbajti fjalimin e mbylljes së mitingut.

Pas degradimit të protestës së PD në dhunë para Ministrisë së Brendshme, ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. Më poshtë mund të lexoni komentin e plotë në Facebook të Kryeministrit për protestën e PD.

Nga Edi Rama

Ç'shemti e trishtueshme, mu ne Diten Kombetare te Rinise, te shohesh PD e sotme te mbytur ne pellgun e nje vandalizmi mizerabel, teksa kujton levizjen studentore qe shembi regjimin komunist e i dha jete vete Partise Demokratike, pa thyer asnje xham.

Ç'shemti e trishtueshme te krahasosh protestat e zemrave plot drite, pasion, qytetari, ironi e humor te 25 vjeteve me pare, me kete shfaqje te vobekte te politikes se ngjirur te PD-se, e cila sot perpelitet mes baltes se mendjeve te erreta te Shqupit dhe nje tufe te verberish te cilet shajne ne hava, thyejne xhama kot me kot, ndezin zjarre kuturu e demtojne qorrazi, pronen publike ne mes te bulevardit te Shqiperise.

Ç'shemti e trishtueshme te shohesh 25 vjet pas krijimit te saj si force e shpreses, besimit dhe vullnetit europian te shqiptare, nje PD te katandisur ne hije e vetvetes, qe shpresen e vdekur perpiqet ta ringjalle me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitoje me gure e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin europian te shqiptareve kujton se e misheron duke shkaterruar dy instalacione te artit urban – me te njejten egersi primitive qe do t'i digjte e shkaterronte ne fakt dhe fatkeqesisht edhe regjimi komunist.

Keqardhje e sinqerte per te verberit e shkrete qe s'dine se ç'bejne me gure e hekurishte neper duar. Neveri per politiken e ngjirur te nje Partie Demokratike ne shthurrje te vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnje alternative qeverisese dhe, fatkeqesisht, edhe pa asnje lidhje me kohen europiane te Shqiperise e as me endrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme te shqiptareve.

Lexoni në "Koha Jonë" lajme të tjera për protestën e PD

Protestuesit "pushtojnë" bunkerin

Sulmohet bunkeri te ministria e Brendshme

I vihet zjarri bunkerit, në majë valëvitet flamuri i PD-së

Goditet me vezë Kryeministria

Parrullat e demokratëve në protestë: “Duam bukë”

Protesta starton me himnin kombëtar

Marshuesit nga sheshi "Skënderbej" drejt Kryeministrisë

Strazimiri: Sot i themi “Ndal” kthimit të së kaluarës

Ristani: Rama po shteron shpresën

Noka: S’kemi përballë etërit por bijtë e tyre

Shtohen forcat e policisë para Kryeministrisë

Vezë, gurë dhe tymuese para Kryeministrisë

Dordoleci i Ramës në protestën e opozitës

SHKARKO APP