Mbyllet Muzeu Kombëtar, pritet ekspertizë për vlerësimin e dëmeve të tëmetit (Foto)

Gazetarët që kanë shkuar të ndjekin promovimin e një libri për dokumente italiane mbi Shqipërinë e kanë gjetur Muzeun Kombëtar të mbyllur dje. Paraprakisht burimet thanë se muzeu u mbyll për shkak të dëmeve të mëdha që ka pësuar nga tërmeti i 21 shtatorit thelluar së tepërmi nga ai i 26 nëntorit. Aktiviteti i promovimit është transferuar nga Muzeu kombëtar te Libri Akademik në Akademinë e Shkencave.

Ndërkohë javën e shkuar në Muzeun Historik paçka gjendjes së tij janë çelur dy ekspozita dhe është mbajtur një konferencë për Petro Markon. Në orët në vijim, Ministria e Kulturës ka konfirmuar mbylljen e Muzeut Historik Kombëtar për shkak të dëmeve nga tërmeti. Zyra e shtypit tha këtë të mërkurë se “Muzeu është mbyllur për shkak të tërmetit. Është bërë një ekspertizë dhe kanë dalë problematike disa zona ku ka pasur dëme panelesh të objektit, dhe rënie suvaje. Është kërkuar një akt ekspertizë më e detajuar që do e bëjë Instituti i Ndërtimit. Deri në momentin që vjen ky akt ekspertimi, muzeu do jetë i mbyllur dhe administrata do zhvendoset”.

I mbyllur është edhe muzeu i përgjimit “Shtëpia me gjethe”, ku ka dëme të vogla, jo në objekte. Gjethi ka një cedim të dyshemesë dhe dëme sipërfaqësore, por vijon i mbyllur. “Presim Aktin e Ekspertizës dhe duhet të bëjmë riparimet para se ta hapim për vizitorët”, thanë në muzeun e përgjimeve. Ndërkohë, Galeria Kombëtare e Arteve që pati dëme dhe që ka qëndruar mbyllur prej 26 nëntorit, dje ka njoftuar: “Të dashur vizitorë, Dëshirojmë t’ju njoftojmë se nesër datë 19 dhjetor, Galeria Kombëtare e Arteve do të jetë e hapur për publikun nga ora 10:00 deri në ora 18:00. Ekspozitat që mund të vizitoni janë: ‘Tirana Patience’ në linjën muzeore dhe ‘Urimet më të mira për 1999: Koleksioni Jan Dibbets”. Më 10 dhjetor, GKA njoftonte se ajo si shumë ndërtesa në Tiranë, ka pësuar disa dëmtime dhe situata mbetet akoma e pasigurtë, ndaj ekspozita “Tirana Patience” nuk hapej akoma.

SHKARKO APP