Mbyllet operacioni në Kumanovë, MB: 8 policë të vrarë, 37 të plagosur

 

Policia maqedonase finalizon operacionin në lagjen e “Trimave” në Kumanovë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, në një dalje për mediat rreth orës 14:30 të pasdites së sotme tha se operacioni policor ka përfunduar dhe grupi terrorist që ishte strehuar në disa nga shtëpitë e kësaj lagjeje është neutralizuar plotësisht.

Pas dy ditë luftimesh të ashpra, që terrorizuan popullësinë civile shqiptare në këtë zonë,  zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme maqedonase foli për 8  policë të vrarë dhe 37 te tjere të plagosur.

Kotevski tha se deri më tani nuk ka raportime për viktima nga civilët.

“ Deri tani kemi gjetur trupat e 14 terroristëve të vrarë, por pas një kontrolli të plotë në terren mund të gjejmë trupa të reja.  Terroristët kishin uniforma të UÇK-së”.

Kotevski tha se janë arrestuar më shumë se 30 terroristë, kryesisht qytetarë maqedonas dhe një shtetas shqiptar, të cilët do të dalin sot para gjykatës.

“Liderët e grupit të armatosur ishin Muhamet Krasniqi, i njohur si komandant Malishevës, Mirsad Ndrecaj i njohur si komandant i NATO-s, Sami Ukshini apo komandant Sokoli, Bei Rijai dhe Dem Shehu. Tre prej tyre, ishin pjesë e grupit që iu dorëzua dje policisë” tha ai.

Kotevski tha në Kumanovë është gjetur një arsenal armësh.

Sipas tij, kjo ishte një nga grupet më të rrezikshme terroriste në rajon. Ata kishin hyrë në Maqedoni në fillim  të muajit maj të këtij viti dhe ishin pregatitur terrenin për të ndërmarrë sulme në mes të nëntorit.

SHKARKO APP