Mbyllet seanca, Bylykbashi: Nuk ka qetësi pa qeveri teknike
Mes tensioneve dhe vijim të mosbindjes civile, në përfundim të seancës plenare, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi njoftoi se nuk mund të ketë seanca normale në Parlamentin e Shqipërisë për sa kohë që nuk do të ketë qeveri teknike.
Bylykbashi u ndal edhe tek çështja e anijes me mbetje të rrezikshme që u ankorua sot në portin e Durrësit, duke thënë se normaliteti në Kuvend është i lidhur edhe me të tilla problematika. Sa i përket kontejnerëve me mbetje toksike që u sekuestruan nga Prokuroria e Durrësit, ligjvënësi opozitar kërkoi që i gjithë zinxhiri komandues i Portit të dalë para drejtësisë.
“S’mund të ketë seancë kur flitet për gjoja hallet e qytetarëve, ndërkohë që në Portin e Durrësit mbërritën 102 kontejnerë mbetje toksike. Të ikura nga porti me lejen e institucioneve. Duhet të ishin para drejtësisë i gjithë zinxhiri drejtues, këta kërkonin normalitet. Zgjedhjet janë element farsë për të vulosur krimin e pushtetit. Porti është vatra e krimit të organizuar me licence nga Rama, me persona që e përfaqësojnë atë marrëdhënie kriminale, produkt i politikës që ndodh në parlament, në këtë qeveri. Opozita do të jetë në mosbindje civile, s’mund të ketë normalitet”, u shpreh Bylykbashi.