Mbyllet votimi nominal, me 104 vota Kuvendi shkarkon Ilir Metën nga detyra e Presidentit
Kuvendi voton për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Republikës, pas përfundimit edhe të votimit nominal, që u zhvillua me kuti nga deputetët.
Në votimin nominal morën pjesë 115 deputetë, ku pas numërimit rezultoi se 104 deputetë votuan për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ndërsa 7 deputetë votuan kundër dhe 3 abstenim.
Gjatë numërimit, një fletë rezultoi e pavlefshme, sepse një prej deputetë kishte votuar në të tre alternativat, edhe pro, edhe kundër edhe abstenim.
Për të shkarkuar Ilir Metën nga posti i Presidentit të Republikës nevojitej vota e 94 deputetëve, që duke parë formacionet dhe renditjen e të ashtuquajturës opozitë parlamentare, ato ishin tërësisht të arritshme.
Pas vendimit të Kuvendit, tashmë çështja e shkarkimit të Presidentit do të jetë subjekt më pas i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka 3 muaj kohë për t’u shprehur në lidhje me aktin e parlamentit në largim.
Një tjetër vendim i Kushtetueses është edhe nëse këtë çështje do e cilësojë prioritare dhe do e shqyrtojë jashtë radhe, apo do vendoset në radhë pritjeje, bashkë me 180 çështje të tjera që pritet të gjykohen.
Deputetët e Kuvendit shqiptar u përballen sot me një situatë të paprecedentë, ku për herë të parë në 30 vite pluralizëm politik, një parlament do të votonte për të shkarkuar një President Republike. Pasi Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit miratoi raportin përfundimtar për shkeljet kushtetuese që pretendohet se ka bërë Ilir Meta, sot i takoi Kuvendit që të vendoste.
Dhe ashtu siç pritej edhe pse Partia Socialiste nuk i kishte vetë votat e nevojshme, faktet kanë treguar se kur mazhorancës në këtë legjislaturë i janë dashur vota në nivele të tilla, ajo i ka gjetur, si në rastin e ndryshimit të Kushtetutës vitin që shkoi.
Kuvendi i Shqipërisë, pas djegies së mandateve nga demokratët dhe LSI, dhe me zëvendësimin e tyre me të pabindurit e të dyja kampeve, ka aktualisht 122 deputetë.