Mbyllja e kufirit, shqiptarët kalojnë nga mali drejt Greqisë
Mbyllja e kufirit i ka rikthyer shqiptarët në rrugët 30-vjeçare të malit drejt Greqisë. Banorë të Bashkisë kufitare të Konispolit po e thyejnë kufirin dy herë në ditë. Udhëtojnë së paku 1 orë e 30 minuta në këmbë për të punuar në fshatrat grekë. “Vjen e më merr pronari direkt pa doganë. Dikush edhe nga mali”.
Nga ana tjetër, veç banorëve të zonave jugore, tregojnë se aty kufirin tentojnë ta thyejnë edhe emigrantë nga zona të tjera të vendit.
Dogana e qafë Botës ku duhet të kalonin normalisht qëndron e mbyllur prej më shumë se një viti, duke penalizuar më shumë se 3000 banorë të Bashkisë me rreth 13 mijë banorë që punën e gjejnë matanë kufirit.
Teksa mban të mbyllur kufijtë për udhëtarët e turistët shqiptarë, Greqia hapi vetëm të shtunën pranimet e punëtorëve sezonal, të cilët u la afat deri më 31 maj për të kaluar kufirin në mënyrë të rregullt.