Më 18 Prill nis fluturimi i parë në aeroportin e Kukësit, krijohet dogana
Një nga vendimet që ka marrë Këshilli i Ministrave është edhe për aeroportin e Kukësit, ku me 18 prill do të realizohet fluturimi i parë.
Njoftimi i plotë
Vendim për krijimin, shtrirjen territoriale dhe klasifikimin e zonës doganore, aeroporti ndërkombëtar i Kukësit. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
Krijimin e zonës doganore të përhershme, Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, në brendësi të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. Shtrirja e zonës doganore është në një sipërfaqe prej 781 682 m2, sipas planvendosjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.