Me 23 mars 1935, arkivoli me trupin e Aleksandër Moisiut u dogj n’Krematorin e Vjenës

Intelektuali shkodran dhe një prej personaliteteve më të njohura të këtij qyteti, Pjetër Logoreci, ka dhënë një kontribut të çmuar në studimin dhe prezantimin e jetës dhe veprës së aktorit të madh shqiptar të skenës gjermane, Aleksandër Moisiu. Në përvjetorin e 90-të të ndarjes nga jeta të këtij kolosi të skenës botërore, Logoreci ka ndarë me publikun një fragment historik të veçantë nga arkivi i tij personal.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar një fotografi të rrallë, të shoqëruar me mbishkrimin:
“Më 23 mars 1935, arkivoli me trupin e Aleksandër Moisiut u dogj në Krematorin e Vjenës, i shoqëruar nga muzika ‘Adagio’ e Beethoven-it, luajtur nga dy miqtë e tij, muzikantët e famshëm Bruno Walter (në piano) dhe Alfred Rosé (në violinë). Ishte hera e parë që në një ceremoni varrimi luhej një pjesë muzikore.”
Ky detaj mbresëlënës sjell në vëmendje jo vetëm respektin dhe vlerësimin e lartë që Moisiu gëzonte në rrethet artistike evropiane, por edhe rëndësinë e tij si një figurë madhore e skenës teatrore dhe kinematografike. Aleksandër Moisiu, i lindur në Trieste nga një familje me origjinë shqiptare, arriti majat e suksesit në teatrot më prestigjioze të Evropës, duke interpretuar role ikonike dhe duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike.
Postimi i Logorecit është një dëshmi e gjallë e kujtesës historike dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të ruajtur dhe ndriçuar figurën e Moisiut në kulturën shqiptare dhe atë ndërkombëtare.
Albert Vataj