Me Bujar Nishanin, në hapësirën e 40 viteve…

Nga: Luan Rama

Me Bujar Nishanin njihem që prej shtatorit të vitit 1981. Kemi qenë shokë të një brezi në klasa paralele, në ish shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”.

Më pas rrjedha e jetës na ndau; ai pasi kreu studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, u emërua po aty pedagog, ndërsa unë, pasi kreva studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, u emërova gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”.

Pas ndryshimit të sistemeve, ecëm në kahje të ndryshme, unë në të majtë, e Bujari në të djathtë. Unë, i pari skënderbegas që pasi kisha qenë më parë ministër i kulturës u bëra edhe ministër i mbrojtjes e më pas edhe ministër i rendit publik, ndërsa Bujari që ka qenë edhe ministër i brendshëm, edhe ministër i drejtësisë, u zgjodh President i Republikës.

40 vjet pas takimit tonë të parë në sheshin e rreshtimit në ish shkollën “Skënderbej”, u bëmë sërish bashkë edhe në studion e emisionit “DREJT” në RTV Ora, unë gazetar dhe Bujari i ftuar në emisionin tim.

I matur e logjik, racional dhe etik, por edhe dinjitoz në gjithçka thotë me shumë modesti, Bujar Nishani është gjithmonë një bashkëbisedues i këndshëm që të imponon respekt. I tillë ka qenë që kur e kam njohur unë, dhe i tillë ka mbetur. Nuk është e lehtë, por Bujari ia ka dalë…

SHKARKO APP