“Më këputen gjunjët dhe rrëzohem”, banorët në mëshirë të fatit pas tërmetit: Kemi mbaruar, të na ndihmojnë

Banorët e fshatit Rrushkull të Durrësit jetojnë në kushte shumë të vështira pas tërmetit të 26 Nëntorit. Për “FaxNews”, një prej banoreve tregoi se përveç dëmeve që ka pësuar shtëpia nga tërmeti, vuajnë edhe nga sëmundjet e për rrjedhojë nuk punojnë dot.

“Mua më këputen gjunjët dhe rrëzohem, jam shumë keq. Nuk i blej dot ilaçet. Marrim ndihmë ekonomike, por shumë pak. Vëllai rri me neve se jemi të sëmurë, nuk punon dot. Na është djegur shtëpia dhe nuk na ka ndihmuar qeveria.

Me tullat që u dogj shtëpia, kemi ngritur këtë ku jetojmë tani, por ajo u dëmtua nga tërmeti. Po bie gjithë muri, do të na zërë brenda. Nuk ka ardhur njeri sepse nuk e ka gjetur dot shtëpinë”, u shpreh një prej banoreve.

Ndërsa një tjetër apeloi për ndihmë, kushdo që ka mundësi financiare. “Ne nuk dimë asgjë sepse jemi pa shkollë prandaj. Kemi kërkuar një çadër, por nuk na kanë sjellë. Le të vijnë sepse jemi shumë keq, jemi të mbaruar. Kush të ketë mundësi të na ndoihmojë, le të vijë.

Kësaj i bie të fikët, rrëzohet nëpër shtëpi pa ndjenja. Kësaj tjetrës i këputen gjunjët. Kemi frikë se do të na bjerë soleta në kokë”, deklaroi një banore tjetër.

SHKARKO APP