Me maska kudo, Shano: Ata që japin të tilla urdhëra, një ditë do e paguajnë personalisht

”Vendim arbitrat dhe anti-demokratik”. Kështu e cilëson analisti Dritan Shano vendimin e qeverisë për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në ambjente të hapura. Sipas tij, të ecësh në rrugë pa maskë është mjekësisht e këshillueshme. ”Një ditë të gjithë ata që japin të tilla urdhëra do paguajnë personalisht nuk do mund të fshihen pas përgjegjësisë kolektive për abuzim me pushtetin njësoj si Adolf Eichman. Ky tipi u fsheh në Argjentinë për shumë vjet, por dhe atje e gjetën, i bënë gjyqin dhe e varën në Jeruzalem. Këta tanët nuk kanë ku fshihen se nuk i qas njeri”,- shkruan Shano në facebook.

Postimi i plotë

Qeveria urdhëron që të gjithë të mbajnë maska kur janë në rrugë. Të Enjten nami. Urdhëri është arbitrar, shkel të drejtat e njeriut, dhe është i pabazuar në ndonjë studim shkencor që vërteton se mbajtja e maskave në rrugë mbron nga coronavirusi. Një ditë të gjithë ata që japin të tilla urdhëra do paguajnë personalisht – nuk do mund të fshihen pas përgjegjësisë kolektive – për abuzim me pushtetin njësoj si Adolf Eichman.

Ky tipi u fsheh në Argjentinë për shumë vjet, por dhe atje e gjetën, i bënë gjyqin dhe e varën në Jeruzalem. Këta tanët nuk kanë ku fshihen se nuk i qas njeri. Përmbi të gjitha, tashmë pas 8 muajve, kohë gjatë së cilës totalitarët ç’nuk kanë shpikur për të paralizuar jetën tonë sociale dhe ekonomike, të gjithë mjekët u këshillojnë të prekurve nga Covid-19 të ecin të paktën 1 orë në rrugë duke marrë frymë në mënyrë natyrale, si mënyrë për t’u shëruar sa më shpejt. Pra të ecësh rrugëve pa maskë është mjekësisht e këshillueshme! Por nuk mendon kështu Qeveria, e cila thotë – në mënyrë të paligjshme – se po nuk mbajte maskë kur ecën në rrugë do gjobitesh tek fatura e energjisë.

Ka shumë njerëz që duan ta mbajnë maskën. Ata mendojnë se kështu mbrojnë të tjerët, por edhe veten. Pra, besojnë se maska që kanë vendosur në fytyrë mbron vajtje-ardhje. Mendoj se vullneti i tyre për të mbajtur maskë në rrugë nuk duhet rregulluar me akte nënligjore, thjesht duhet lënë i lirë. Njësoj i lirë duhet të jetë edhe qytetari që nuk dëshiron të mbajë maskë kur ecën në rrugë.Nëse personi ka vënë maskën në fytyrë është i bindur se ajo e mbron, atëhere pse duhet të ketë frikë se unë që jam pa maskë mund ta infektoj.

Kjo, palo maskë që ka vënë e mbron apo nuk e mbron? Apo është thjesht një mjet dekorativ psikologjik, apo një instrument kushtëzimi dhe identiteti tjetër siç janë uniformat e ushtrisë, apo rroba e burgut? Personalisht mendoj se higjiena personale, ruajtja e distancës dhe mbajtja e një shamie në xhep janë mëse të mjaftueshme për të bashkëjetuar me njëri tjetrin. Siç ka qenë gjithmonë. Kush mendon se maska e mbron tek ecën në rrugë, ta vendosë. Kush mendon se maska nuk i nevojitet kur ecën në rrugë të mos ta vendosë. Kështu të gjithë janë të kenaqur. Ca janë të mbrojtur, ca janë të lirë. Kjo është logjike dhe demokratike. Për këtë nuk ka nevojë për Vendime të Këshillit të Ministrave, dhe as për kërcënime të qytetarëve me gjoba. Veç, po të është bërë forcë zakoni.

SHKARKO APP