Më pranë njëri-tjetrit në këtë prag festash! Nuk jeni vetëm!

 

Festat e fundvitit dhe atmosfera e tyre ndryshuan sot rutinën e një dite të zakonshme pune për ministrat e kabinetit qeveritar, Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin gjithashtu. 

Në një ditë jo si të tjerat, ata ishin sot pranë njerëzve që kanë më shumë nevojë për dashuri dhe vëmendje, për të uruar dhe për të dhuruar, si dhe për të përcjellë mesazhin se askush prej tyre, nuk është vetëm në gëzimin e pragfestave.Kryeministri Edi Rama përcolli urimet e tij për festat nga Qendra e Zhvillimit në Durrës, e cila i përkushton shërbimin e saj fëmijëve me aftësi të kufizuara. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte në Korçë, mes vogëlushëve në Shtëpinë e Foshnjës në këtë qytet. Po ashtu edhe ministri i Mjedisit Lefter Koka, ishte në Korçë ku përcolli urimet dhe dhuratat në Qendrën ditore për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë Haki Çako dhe pjesëtarë të stafit të ministrisë kujtuan me respekt dhe mirënjohje, policët e rënë në krye të detyrës, teksa zhvilluan një aktivitet me fëmijët e tyre, në kryeqytet.

Shtëpia e të moshuarve në Fier mirëpriti Ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni e cila u takua me të moshuarit dhe i uroi atyre një vit të mbarë dhe të gëzuar, në institucionin që përkujdeset për ta, me përkushtim dhe dashuri.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, uroi në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Po ashtu edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, ishte në Vlorë në Qendrën Zhvillimore për Fëmijë.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ishte në Shkodër, në shtëpinë e të moshuarve. Ndërsa Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, uroi dhe shpërndau dhuratat në Qendrën e Kujdesit Social në fshatin SOS.

Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha, ishte mes të moshuarve në Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë. Ndërsa në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë sot ishin si miq të vjetër, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar ishin në këto aktivitete në orën 11.00 në qendrat e përkujdesit social.

SHKARKO APP