Me shpejtësi skëterrë në mes të Tiranës dhe i dehur, i riu e pëson keq nga policia (Video)
Me radar për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar punën për rritjen e parametrave rrugorë edhe këtë fundjavë.
Për gjatë gjithë natës së mbrëmshme policia ka ushtruar një monitorim në rrugët e kryeqytetit ku disa drejtues mjetesh u penalizuan dhe disa u ndaluan.
Në një video të publikuar në rrjetin social “Facebook” policia tregon momentin e ndalimit të një 30 vjeçari në Bulevardin “Gjergj Fishta”, ku matja e radarit tregon shpejtësinë marramendëse të tij dhe e nxjerr zbuluar se kishte konsumuar edhe alkool.
“Drejtuesi i mjetit Mercedes Benz ML, 30 vjeçari V.M, nga Tirana, u konstatua nga Radari me 92 km/h, ku shpejtësia e lejuar ishte 40 km/h, dyfish mbi normat e lejuara,” shkruan Policia Rrugore.
Po ashtu drejtuesit të mjetit i është bërë edhe testi i alkoolit nga ku ka rezultuar nën efektin alkoolik me 0.40ml/I dhe gjatë testit të dytë 0.39mg/l.
“Një kombinim i frikshëm shkeljesh për karakteristikat e rrugës dhe reagimin e drejtuesit me një përqendrim alkooli në nivele të tilla dhe me këtë shpejtësi, duke rrezikuar jetën e tij dhe të përdorueseve të rrugës”, deklaron Policia Rrugore.
KOHA JONË SONDAZH

