Më shumë “Gjyshër” në Shqipëri; Ja pasojat…

Në vitin 2001 në vend kishte 905 mijë fëmijë të moshës 0-14 vjeç, që përbënin 29.5% të popullsisë totale. Po atë vit, kishte 227 mijë të moshuar mbi 65 vjeç, që përbënin vetëm 7.4% të popullsisë, ose një të moshuar për dy fëmijë. Në 2023 piramida e popullsisë është përmbysur. Numri i fëmijëve nga 0-14 vjeç në 2022 është përgjysmuar në 445 mijë, ose 16% e popullsisë. Në të kundërt, numri i të moshuarve mbi 65 vjeç u dyfishua duke arritur në 454 mijë, po rreth 16% e popullsisë. Tashmë ka një të moshuar për një fëmijë.

Rënia e numrit të fëmijëve dhe moshimi i popullatës mund të ketë ndikim në ekonominë e vendit, thotë eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Sipas tij, për shembull, mund të ketë rritje të shpenzimeve sociale për t’u kujdesur për popullsinë e moshuar dhe një nevojë për të rritur prodhimin ekonomik për të kompensuar këtë rënie të fuqisë punëtore të re.

Nga ana tjetër priten pasoja në tregun e punës. Me një fuqi punëtore të rënë dhe më shumë të moshuar në punë, tregu i punës mund të përballet me sfida të reja.

Mund të ketë nevojë për të rishikuar sistemin e pensioneve dhe politikat e punës për t’u përballur me këto ndryshime. Për të përballuar këto sfida dhe ndryshime, qeveritë dhe shoqëria duhet të marrin masa të përshtatshme. Kjo përfshin investime në arsim dhe trajnim për të përshtatur fuqinë punëtore në këtë kontekst të ri demografik, politika të përshtatshme të pensioneve dhe politika shëndetësore të mira për t’u kujdesur për popullsinë e moshuar.

Gjithashtu mund të duhet të përkrahen politika për të nxitur lindshmërinë dhe të ndihmojnë familjet që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në mënyrë efektive”, – përfundon z. Xhepa.

SHKARKO APP