“Më shumë viktima se raportimet?” Kalo: Problemi qëndron se cili është shkaku parësor dhe dytësor

Në mbledhjen e kësaj të mërkure të Komitetit Teknik të Ekspertëve, anëtari dhe mjeku Tritan Kalo, u pyet në lidhje me dyshimet e ngritura nga kreu i PD, Lulzim Basha, për fshehje të numrit të viktimave nga koronavirusi. Mjeku u shpreh se nuk mund të ketë asnjë ndërhyrje në diagnozë ose në ndryshimin e shkakut të vdekjes në kartelë, por ai theksoi se problemi është kush është shkaku parësor dhe kush është shkaku dytësor.

“Sa i përket humbjeve të jetës në shtëpi, unë nuk mund t’iu them asgjë sepse janë zyrat e gjendjes civile ose mjekët e familjes ata që mund të saktësojnë shkaqet e vdekjes. Unë mund të flas në lidhje me shërbimin e sëmundjeve infektive. Është e plotësuar mirë ligjërisht dhe shkencërisht kur plotësohet një skedë vdekje, arsyet se pse i sëmuri ka ndërruar jetë. Në këto raste nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje ose të krijohet një artificë, si në lidhje me ”moment-diagnozën” e pranimit, evolucionin dhe përfundimin. Në këtë rast, nuk mund të ketë asnjë lloj falsifikimi apo ndryshimi. Problemi është kush është shkaku parësor dhe kush është shkaku dytësor. Te një i sëmurë me Covid-19, jo gjithmonë sëmundja bazë është shkaku i përfundimit letal të të sëmurit ose vdekjes, por janë edhe ndërlikime që vijnë në terrene. Kemi të sëmurë me komorbozitete dhe probleme të tjera që i sëmuri i ka pasur para se të shtrohej në spital. Në terren të këtyre sëmundjeve zhvillohen edhe problematika që lidhen me vetë sëmundjen bazë. Të marrim sëmundjet malinje të gjakut, shumë prej tyre kanë ndërruar jetë. Të sëmurët që kanë probleme me dializën, dëmtimet që ndodhin, jo gjithmonë janë fatale të lidhura direkt me Covid-19, por edhe agravime të situatave. Këto janë të pasqyruara në kartelë. Nuk ka asnjë ndërhyrje për ndryshimin e diagnozës ose të ndryshimit të shkakut të vdekjes. Problematikat e krijuara artificialisht krijojnë një tymnajë, një ndarje mes besimit të popullit dhe punës së madhe që bëjnë mjekët”,-tha Kalo.

SHKARKO APP