Me test të falsifikuar drejt Gjermanisë e Athinës, kapen në Rinas 2 persona
Dy persona, një burrë dhe një grua, po hetohen në gjendje të lirë pasi tentuan të kalojnë kufirin shqiptar në Rinas përmes testeve të falsifikuara të COVID-19.
Autoritetet bëjnë me dije se shtetasi me inicialet Gj. D., 45 vjeç do udhëtonte drejt Gjermanisë, ndërsa shtetasja me inicialet P. M., 43 vjeçe, drejt Athinës.
Për zbulimin e dy rasteve është bërë një kontroll dhe verifikim i hollësishëm i dokumentacionit dhe i testeve të COVID-19, në bashkëpunim dhe me klinikat mjekësore që lëshojnë këto teste.
Ndaj dy personave rëndon vepra penale e “falsifikimit të formularëve, vulave apo stampave” .
Ndërkohë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.