Media greke: Fredi Beleri humb mandatin nëse s’betohet deri në 15 shtator

Avokatët e Fredi Belerit kanë paralajmëruar një tjetër kërkesë në SPAK për lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës i cili ndodhet në burg i arrestuar prej 12 majit me akuzën e blerjes së votave. Duke iu referuar protestës së një grupi individësh në Himarë më 14 gusht, gazeta greke “Prototema” shkruan se në ditët në vijim avokatët do të dorëzojnë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion Shqiptar një kërkesë të re për lirimin e Belerit.

Sipas artikullit, ata do të kërkojnë lirimin me kushte shtrënguese, pasi data 15 shtator konsiderohet si një ditë kritike. Nëse deri në këtë kohë i zgjedhuri në Himarë ende nuk është betuar, ai rrezikon mandatin ndërsa zgjedhjet për kryetar bashkie duhet të përsëriten. Pas prangosjes së Fredi Belerit më 12 maj bashkë me anëtarin e shtabit elektoral Alfred Kokoneshi, gjykata e Vlorës dhe më pas GJKKO, kanë refuzuar disa kërkesa të avokatëve për lirim.

SHKARKO APP