Media turke zbulon dronët 8 milion euro që do të blejë Shqipëria

Qeveria shqiptare ka vendosur që të blejë dronë ushtarakë nga Turqia. Marrëveshja është konkretizuar ndërsa media turke “Yeni Şafak” shkruan se Shqipëria ka shpenzuar për blerjen e tyre 8 milionë euro.

Po ashtu mediat turke kanë zbuluar për herë të parë edhe tipin e dronëve superinteligjentë, të llojit IHA dhe SİHA prodhuar nga “Baykar Defense” në Turqi. Bëhet fjalë për mjete që prodhohen në industrinë e mbrojtjes me armatim tip (SIHA) të cilët janë dronë të armatosur dhe dronë pa armatim tip (IHA).

Buxheti i qeverisë i ndryshuar në 22 qershor alokon fonde për Ministrinë e Mbrojtjes për këtë qëllim.

Dokumenti i botuar nga parlamenti shqiptar në 23 qershor publikoi shumën e buxhetit të alokuar për dronet, shkruan media turke. Në dokument, shpenzimet u vlerësuan brenda fushës së marrjes së masave për rritjen e sigurisë kombëtare.

Ambientet e fabrikës ku prodhohen disa variante të droneve në fjalë, u vizituan gjatë këtij muaji nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Në fillim të këtij muaji ai publikoi një video nga takimi me zyrtarë të kompanisë teksa vizitonte fabrikën.

Kujtojmë se ka qenë vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili gjatë vizitës në Stamboll në fillim të muajit qershor, njoftoi për blerjen e dronëve inteligjentë që do të shërbenin për monitorimin e territorit.

SHKARKO APP