Mediat greke: Qeveria e Mitsotakis xhelozon për praninë e avionëve italianë dhe dronëve turq në Kuçovë

Hapja e bazës së NATO-s në Kuçovë mori vëmendje në mbarë Europën, por ky event i rëndësishëm nuk ka kaluar pa u komentuar nga grekët, të cilët pretendojnë të mos kenë marrë asnjë ftesë nga Tirana zyrtare. Edhe pse e quajnë turp ftesën e munguar, sërish theksojnë se edhe po të ftoheshin, nuk do të vinin.

“Burime kompetente e cilësojnë ngjarjen si një “paturpësi” duke vënë në dukje se edhe nëse do të ishte ftuar pala greke, gjendja e marrëdhënieve mes dy vendeve nuk do të lejonte praninë e zyrtarëve apo avionëve ushtarakë”, thuhet në një artikull të publikuar nga mediat greke.

Po ashtu, në artikullin e publikuar nga mediat greke thuhet se Athina nuk ka marrë një ftesë përkatëse, pavarësisht se merr pjesë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë si dhe të Italisë.

Artikulli nuk rri pa përmendur paradën e avionëve italianë Eurofighter, e aq më tepër dronët Bayraktar TB2, të Ankarasë, ku marrëdhëniet e tensionuara me Turqinë janë sërish pjesë e shkrimit.

“Për vite me radhë, Greqia dhe Italia kanë patrulluar hapësirën ajrore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, me përgjegjësi të ndarë çdo dy javë. Për Greqinë, prania ushtarake në rajonin kritik të Ballkanit është një prioritet absolut dhe vepron si një kundërpeshë ndaj ndikimit gjithnjë në rritje të Ankarasë”, thuhet më tej.

SHKARKO APP