Mediat italiane pro Shqipërisë: Humbje e pamerituar me Portugalinë

Sfida e eliminatoreve të "Euro 2016" mes Shqipërisë dhe Portugalisë, ka gjetur hapësira edhe në median italiane, e cila ka dalë pro ekipit shqioptar edhe pse ky humbi në sekondat e fundit.

Kështu, e përditshmja prestigjoze italiane “La Gazzetta Dello Sport” i ka dedikuar një artikull kësaj sfide të skuadrës sonë përfaqësuese, ku vlerësonte lojën e kuqezinjve të De Biasit.

Sipas saj, Portugalia mori një fitore të pamerituar falë dhuratës së Migel Velozos në minuten e 92-­të.

"Skuadra e Ronaldos ka 15 pikë, 4 më shumë se Shqiperia dhe kualifikimi duket çështje pothuajse e mbyllur. Skuadrës shqiptares i mbetet shija e hidhur e dorëzimit pas një ndeshje vërteë shumë të mirë; mbrojtje perfekte, me një pjesë të dytë kurajoze kundër një skuadre superiore në paga, emra dhe kualitete, por inferiore përsa i përket lojës me zemër dhe pasion. Shqipëria 1 vit më parë mundi Portugalinë në fushën e saj dhe ishte duke marrë 4 nga 6 pikët e mundshme ndaj kësaj skuadre", shkruan ajo.

“Nëse në krahun e djathtë të mbrojtjes ke një lojtar 22­-vjeçar që luante sfidën e dytë të tij me kombëtaren, një tjetër 21­-vjeçar si Ajeti, që ende nuk ka gjetur skuadër pas largimit nga Bazeli, shkëmbin Cana dhe në krahun e majtë një futbollist që siguron jetesën te Karabag, nuk mund të kesh luksin të dalësh nga zona dhe të bësh pasime me mesfushorët”, thekson gjithashtu kjo e përditshme.

“Në mbrojtje Shqipëria ishte solide ku secili prej lojtarëve ishte gati të korrigjointe çdo gabim të shokut të tij. Shqipëria e De Biazit ka pësuar vetëm 3 gola në 6 ndeshje kualifikuese dhe ndaj Portugalisë ajo tregoi vlerat e saj. Kjo sepse Kristiano Ronaldo, Nani, apo Dani nuk mundën të bënin lojën e tyre më të mirë. E gozhduar në prapavijë, skuadra e De Biazit nuk kishte shumë interes për lojën sulmuese, por në momentin kur shtoi ritmin e lojës, arriti të godasë shtyllën me Cikalleshin. U duk se po shkonte gjithçka drejt rezultatit 0­-0, kur Kuarezma gjeti Veloson për të djegur Shqipërinë, që gjithsesi e ka një motiv për të buzëqeshur; barazimi i Danimarkës me Armeninë e lë këtë kombëtare 1 pikë nga vendi i dytë me një ndeshje më pak”, përfundon “La Gazzetta Dello Sport”. 

 

SHKARKO APP