Mediu për 11 majin: Vota blihet, kështu nuk shkojmë në BE

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu flet për takimet e opozitës për zgjedhjet e 11 majit. Për të qëllimi ishte që të tregoheshin shqetësimet për situatën në Shqipëri.
”Prej kohësh, opozita shqiptare ka zhvilluar kontaktet e veta, ndoshta pak të vonuara me PE-në CDI e Kongresin Amerikan e tashmë edhe me Asamblenë e Këshillit të Europës. Qëllimi ka qenë të njohin situatën në Shqipëri, një situatë që ishte pikturuar shumë rozë pa ndonjë vëmendje të veçantë për problemet që ka Shqipëria, në mënyrë të veçantë krimin e korrupsionin.
Ajo që është më e rëndësishmja, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Raporti i OSBE-ODIHR ka treguar qartësisht se votat në Shqipëri blihen, votuesit intimidohen, krimi e korrupsioni janë të përfshirë në blerjen e votës. Po ashtu, edhe mënyra sesi është përdorur drejtësia kundër opozitës, duke e vendosur atë përballë një procesi që nuk kanë një bazë të fortë ligjore.
I gjithë qëllimi ishte që ne të bëjmë prezent shqetësimet që kemi për situatën në Shqipëri. Në këtë rrugë Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një vend anëtar i BE-së”.