Menaxhimi i pandemisë, ish-kreu i ISHP: Nuk ka plan strategjik, antibiotikët po shiten si karamele në farmaci
Tema e menaxhimit të situatës pandemike çdo ditë krijon boshllëqe për debate të forta në arenën politike të vendit dhe jo vetëm.
Ish-drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Besnik Jakaj në një intervistë për Ora News, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se nuk ka zhvilluar një plan strategjik për situatën.
Sipas Jakaj deri më tani nuk është bërë bilanc i plotë, nuk është bërë testim, nuk është bërë gjurmim, nuk është bërë hetim epidemiologjik.
“Nuk është bërë një plan strategjik, sepse nuk është bërë bilanc i plotë, nuk është bërë testim, nuk është bërë gjurmim, nuk është bërë hetim epidemiologjik dhe në këto kushte nuk është vendosur standardi i mjekimit, nuk është monitoruar mjekimi në shtëpi. Mjekimi në shtëpi duhet të merret me recetën e mjekut, me monitorimin e tij, sepse nuk duhet ta lëmë në dorë të qytetarit. Ka një protokoll bazë nëpër të cilin mjekohen simptomat”, ka thënë Jakaj.
Ish-drejtori i ISHP ka denoncuar rastin e shitjeve të antibiotikëve në farmaci pa asnjë rekomandim, ndërkohë që ka shtuar se i janë dhënë paga bonus vetëm personelit mjekësor të spitaleve Covid.
Jakaj: Sistemi i kontrollit të barnave është pa asnjë lloj monitorimi. Shiten antibiotikët si karamele në farmaci, pa asnjë monitorim. Shërbimi farmaceutik është një nga shërbimet më të konsoliduara në Republikën e Shqipërisë, por ka abuzues. Nuk përjashtohet rasti që ka mjekë abuzues. Armata e mjekëve kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, por brenda tyre mund të ketë edhe të paaftë, abuzues. Ndaj është menaxhimi i sistemit shëndetësor.
Nga ana tjetër u është dhënë bonues vetëm mjekëve në spitalet Covid, ndërkohë që është i gjithë shërbimi parësor që po përballet në të njëjtën masë me rrezikshmërinë e infektimit me Covid, por edhe me punën e ngarkuar dhe me orët e tejzgjatura, nuk është dhënë asnjë pagë shtesë. Kjo është e padrejtë, nuk është motivuese për personelin mjekësor. Në finale kthehet në mungesë shërbimi ndaj qytetarëve shqiptarë.