MEPJ: Pajisja me karta e pasaporta ofrohet edhe në 6 përfaqësi diplomatike
Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka njofton se ka nisur shërbimi për pajisjen me karta identiteti e pasaporta biometrike për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit edhe në 6 përfaqësi të tjera diplomatike që nga janari i këtij viti. Bëhet fjalë për përfaqësitë në Bari, Stamboll, Vjenë Stokholm, Paris dhe Berlin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shprehet se shërbimi konsullor ndaj bashkëkombasve mbetet prioritet absolut i punës së kësaj ministrie. Sipas saj krahas 14 ambasadave e konsullatave po punohet që shërbimi për dokumentet e identifikimit të ofrohet edhe në vendet më të largëta.
“Prej janarit të këtij viti, edhe në 6 përfaqësi të tjera diplomatike kemi nisur shërbimin për pajisjen me karta identiteti e pasaporta biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Shërbimi konsullor ndaj bashkëkombasve tanë mbetet prioritet absolut i punës në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Mbi 65 mijë aplikime të kryera përmes portalit e-Albania, ndërkohë që 481 shtetas të kategorive të veçanta janë asistuar nga stafet në konsullata.
Krahas 14 ambasadave e konsullatave, ku aktualisht ofrohet shërbimi për dokumentet e identifikimit, po punohet që ky shërbim të ofrohet edhe në vendet më të largëta, ku jetojnë e punojnë shtetasit shqiptarë”.