Mero Baze: Çlirimi i dëshmitarëve

Nga Mero Baze

Ajo që të bën përshtypje në dosjen hetimore të SPAK rreth çështjes së Klubit “Partizani”, është se shumë zyrtarë të shtetit shqiptar kanë bërë deklarata të guximshme, duke dëshmuar të vërtetën mbi presionet që u janë bërë të përshpejtohej procedura, mbi shantazhet që familja Berisha ka bërë përmes inspektimeve për ata që nuk bindeshin, e deri tek pushimet nga puna. Por dhe ata që e kanë bërë pa presione atë çështje, duke qenë në koherencë me familjen Berisha, dëshmojnë se dosja e dhëndrit të Berishës ka qenë prioritare.

Kjo ka qenë lëndë e nevojshme për SPAK të arrinte në përfundimet se Sali Berisha si kryeministër kishte vënë shtetin në dispozicion të dhëndrit të vet, për t’i kthyer një pronë e cila në thelb vjen pas një procedure të paligjshme, për një pronë që është shpronësuar një herë. Por gjeja më interesante është shpërthimi i dëshmive pas vendosjes së masave të arrestit. Prej 48 orësh ke dëshmi të reja që flasin për shantazhe shumë herë më të mëdhaja, deri në linçime, për njerëzit që tentonin të rezistonin. Drejtues të Klubit Partizani apo kufitarë të tokës në fjalë, janë persekutuar dhe u është dhunuar prona e tyre apo e drejta e ndërtimit, në funksion të kësaj prone.

Dhe ata po flasin në një klime të re, pasi drejtësia ka vepruar. Deklaratat e Paro Laçit për shembull, i cili ka qenë për një farë kohe në krye të klubit Partizani, janë shumë më të rënda se sa gjithë dëshmitë që kanë dhënë zyrtarët në SPAK. Ai përmend shantazhet e djalit të Berishës dhe zyrtarëve të lartë të policisë kundër tij, për shkak të mosbindjes për të dorëzuar pronën. Dhe tani ai sapo ka dalë nga dyert e SPAK. Si ai ka shumë të tjerë. Për këtë arsye, vlera më ë e madhe e nisjes së procesit ndaj familjes Berisha, në këtë rast nuk është thjesht ndriçimi i një prej dhjetëra aferave korruptive të familjes, por fakti që njerëzit filluan të besojnë tek drejtësia dhe të flasin.

Ka qenë shumë e vështirë të denoncojnë familjen Berisha pikërisht për këtë shkak, pikërisht se njerëzit nuk besonin të denonconin, pasi drejtësia dhe shteti ishin palë me të dhe ndërkohë që ti mendoje se e denoncoje në shtet, në fakt po e denoncoje tek njerëzit e familjes dhe kishe pasoja. Më kujtohet historia ime me biznesmenin që donte të ndërtonte një TEC në Porto Romano dhe kishte marrë Argita Berishën për konsulente. Në finale ajo i kërkoi 3 për qind të vlerës së investimit si pagesë për punën e saj, nëse gjithë procedura firmosej nga qeveria. Vlera e investimit ishte 100 milion euro dhe ajo i binte të merrte 3 milionë euro për firmën që do hidhte babai.

Kur mua më ra dorë korrespodenca e saj me biznesmenin dhe e bëra publike, gjithë presioni i shtetit, duke përfshirë dhe diplomatët tanë, u përqendrua mbi biznesmenin që të më denonconte mua dhe të thoshte që ato emaile nuk janë të vërteta. Ai refuzoi ta bënte këtë dhe nuk e lejua më të shkelte në Shqipëri.

Përfytyro tani se si mund të denonconin familjen Berisha zyrtarë të thjeshtë, rrogëtarë, apo të punësuar nga vet familja në shtet. Ata kanë bërë shumë dhe kaq. Madje janë heronjtë e kësaj historie, pasi së paku kanë thënë të vërtetën. Lexova në dosje diku që Tetis Lubonja, zyrtare e agjencisë së kthimit të pronave, kishte deklaruar se kthimi dhe kompensimi i pronave nisi në janar të 2007 dhe dosja e këtyre pesë familjeve të lidhura me dhëndrin, u është dhënë e para 2 muaj pas inicimit të procedurës. Kjo është një deklaratë shumë e ndershme e një zyrtareje të shtetit, e cila nuk është se tradhton familjen Berisha, por respekton të vërtetën.

Tani babai i saj Fatos Lubonja thotë se gjyqi ndaj Berishës është politik dhe hakmarrje e Edi Ramës, çka tregon se ai është shumë larg integritetit dhe lirisë që ka vajza e tij, për të thënë të vërtetën. Dhe kjo është gjëja më e bukur në këtë histori, pasi po ndan njerëzit e lire, madje dhe zyrtarët e emëruar nga familja Berisha në shtet për hallin e tyre, prej njerëzve që u duhet Berisha për kauzën e dëshpëruar opozitare, të revolucionit që po ha bijtë e vet. Madje dhe kokën e tij.

SHKARKO APP