Mero Baze: Prokuroria të hetojë e arrestoj deputetin e PS-së Koço Kokëdhima

 

Botuesi i "Tema" analisti Mero Baze në një editorial të sotëm ka kritikuar fort dhe me argumenta faktin se si mundet që prokuroria hesht ndërkohë që “supërdeputeti”  Koço Kokëdhima bën hapur propogandë për të kultivuar hashashin e lendët e tjera narkotike. Ndërkohë që Shteti dhe veçanërisht Policia e Shtetit  po bëjnë punë të stërmundimshme kundra lendëve narkotike, bile duke u vrarë edhe policë, deputeti i PS-së dhe miku më i ngushtë i Kryeministrit Rama punon me të gjitha mënyrat për ta ndihmuar legalizimin.

Kjo e ka vënë në pozitë të vështirë Policinë dhe organet e tjera ligjzbatuese, sepse nga njëra luftojnë dhe arrestojnë personat që merren me kultivimin e lendëve narkotike, e nga ana tjetër dalja e përditshme e deputetit Koço Kokëdhima ,që njihet si njeriu që ndikon mbi Kryeministrin Rama, pra që punon për ta legalizuar duke inkurajuar kultivuesit me propogandën e tij. Ndaj është një mish-mash qeveritar. Policia lufton e Koço punon për ta legalizuar duke u emëruar si shefi i socialistëve të Jugut prej Edi Ramës ka sjellë kaos në publik. Natyrisht që deputeti ,si çdo njeri tjetër , ka të drejtë të luftojë me platforma ligjore e të bind për kauzën e tij, porse kur ai merr mbështetje publike nga kryeministri për të drejtuar gjithçka në Jugun e vendit është si të thuash njohje e fushatës së Kokëdhimës për lendet narkotike.

Ndaj Mero Baze ka të drejtë. Cila është politika zyrtare e Qeverisë për lendët narkotike? A duhet dëgjuar e mbështetur Saimir Tahiri apo Koço Kokëdhima?! Faktikisht Kokëdhima duket se ka forcë tek Kryeministri.

 

Aka një qëndrim zyrtar qeveria për drogën?

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare po përballet me një linjë politike pro lejimit të drogës në Shqipëri, e cila po proteston ndaj djegies dhe korries së hashashit në çdo fshat të Shqipërisë dhe po e vlerëson si fatkeqësi edhe ndërhyrjen e policisë në Lazarat një vit më parë. Në një të përditshme shqiptare, pronë e deputetit Koço Kokëdhima, sot është vlerësuar si krim, fakti që digjen mijëra rrënjë hashashi nga Policia e Shtetit dhe është konsideruar gabim dhe ndërhyrja në Lazarat. Qëndrimi publik, që i atribuohet deputetit Koço Kokëdhima, është një nxitje e hapur për kultivimin e drogës në Shqipëri dhe një mesazh tërësisht i kundërt nga mesazhi publik që tenton të japë qeveria me aksionet policore në jug dhe veri të vendit. E di që ka dhjetëra avokatë mendjelehtë, që vrapojnë të bëjnë teori ekonomiko­sociale mbi dobinë e kultivimit të  hashashit ndaj krizës ekonomike, por ato përveçse janë teori kriminale, janë dhe teori diletante nga ana ekonomike. Kultivimi i hashashit në fshatrat e jugut nuk bëhet nga fshatarët dhe nuk është një treg i lirë, i cili mund të gjykohet se vlen për shpërndarjen e të ardhurave. Kultivimi bëhet nga elementë kriminal, që vite më parë punonin vetëm në Lazarat dhe sot kanë zaptuar tokat e lira në çdo fshat të jugut dhe mbjellin hashash. Përfitues të këtij trafiku janë vetëm ata dhe si të tillë nuk kanë asnjë peshë në eknominë e vendit, pasi përveçse nuk mund t’i investojnë legalisht ato para, nuk kanë as predispozitën dhe as vizionin për të qenë investitorë në këtë vend. Ata janë thjesht banditë. Dëmi i madh që mund të kemi pas kësaj, është që në vend të një policie që lufton fshat më fshat të shkulë hashash, të kemi me kalimin e kohës një polici që do të jetë pronarja reale e hashashit, duke u inkriminuar përballë ofertës së lartë të tyre. Efekti final do të jetë një shtet i kontrolluar nga mafia dhe një polici në shërbim të tyre. Ky do të jetë jo vetëm fundi i ëndrrës europiane të shqiptarëve, por dhe fundi i një shoqërie të lirë dhe me shanse zhvillimi, pasi do të jemi vegla të një shoqërie që kontrollohet nga mafia. Situta është e rrezikshme, pasi njeriu që e promovon këtë politikë, është dhe një superdeputet i promovuar nga qeveria shqiptare. Ai është duke zhvilluar takime politike dhe duke u vetëprezantuar si kryeministri i jugut në takime në Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë, dhe kjo përkthehet si një mesazh që që qeveria ka vizionin e tij për çdo çështje, përfshi dhe atë të drogës. Gjuha e përdorur në gazetën e tij nga gazetarë që i ka kthyer si skllevër hashashi, të krijon idenë se qeveria i ka hapur rrugë dy politikave, asaj të Tiranës, që bën sikur lufton drogën dhe krimin, dhe asaj të Kokëdhimës që bën betejë, që droga të mos preket, pasi është para që i ikën nga duart pushtetit të krimit. Në çdo vend të botës prokurori i Përgjithshëm duhet të nisë hetimin “kryesisht” nga qëndrime të tilla publike, të një njeriu të veshur me pushtet, për nxitje të veprave kriminale me paramendim” dhe të hetojë lidhjet e kultivuesve të hashashit me këtë grup politik, që ka tentuar prej një viti të prodhojë një parajsë droge në Shqipëri. Iluzionet se droga do na bëjë të pasur dhe do na heqë varfërinë, përveçse është një naivitet i rrezikshëm, është dhe një pasqyrë e mediokritetit dhe mendjeshkurtësisë që rrezatojnë njerëz megalomanë, që marrin përsipër të japin mendje për zhvillimin e Shqipërisë, sipas modelit kolumbian. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama duhet të distancohen publikisht nga këto qëndrime, për të mos çuar mesazhe konfuze tek qytetarët e thjeshtë, të cilët janë të prirur të besojnë, se nxitja e kultivimit të drogës është një politikë ilegale e qeverisë shqiptare. Kjo qeveri ka boll akuza, shpesh të verifikueshme po dhe të ekzagjeruara për lidhje me botën e krimit, por manuali i Kokëdhimës për shqiptarët “si të bëhen milionerë” është ndoshta më i rrezikshmi dhe më i besueshmi për ta njollosur përfundimisht atë

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP