“Merrni atlete e pije freskuese”, Gati faza e dytë për rekrutimet në BKH

Vijon procedura e përzgjedhjes së hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Tashmë testi i radhës mbetet testi i aftësive fizike që zhvillohet nga datat 19-22 tetor tek ambientet e ”RENEA” në Yzberisht të Tiranës.

Në fazën e Testit të Arsyetimit Logjik, u skualifikuan 21 kandidatë dhe 403 të tjerë kaluan.

Këtyre të fundit u është kërkuar që për fazën tjetër, përveç masave COVID-19 duhet të marrin me vete atlete, veshje sportive si dhe pije freskuese.

BKH njofton se për shkak të numrit të lartë të kandidatëve të kualifikuar testimi do zhvillohet si vijonë:

Datë  19.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor : 1 (një) deri në 100 (njëqind) ; Datë 20.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor: 101 (njëqind e një) deri në 201 (dyqind e një). Datë 21.10.2020, do paraqiten për testimin kandidatët që janë në listë, me numër rendor: 202 (dyqind e dy) deri në 302 (treqind e dy). Datë 22.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë me numër rendor: 303 (treqind e tre) deri në 403 (katërqind e tre).

Kandidatët në ambientet e Repartit Special “RENEA” duhet të paraqiten në orën 08.00. Kandidatët do të jenë të pajisur me maska për sigurinë shëndetësore të tyre, ndaj pasojave të infeksionit COVID – 19. Merrni atlete dhe veshje sportive të përshtatshme për vrapim, si edhe pije freskuese. Kandidatët para fillimit të Testit të Aftësive Fizike do të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Dokumenti identifikimit do të krahasohet me gjeneralitetet e parashikuar në listën emërore. Kandidatët para se të marrin pjesë në test do të dorëzojnë tek Komisioni i Përzgjedhjes Raportin Mjekësor, nga specialisti Kardiolog, që vërteton që janë të aftë fizikisht për të marrë pjesë në këtë test pa rrezikuar për infarkt kardiak ose komplikacione kardiovaskulare.”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP