“Merrni tokën dhe mos u ngopshi, por na dëmshpërbleni”, protestë kundër devijimit të Lanës
Qindra familje, të cilat preken nga devijimi i lumit të Lanës, protestuan pasditen e sotme kundër projektit.
” Preken 300 shtëpi, nëse bëhet projekti i 2015 prek 30-40 objekte. Banorët e Lumit të Lanës të mbështetur dhe nga banorët e Unazës së Re, nuk jemi kundër projektit por kundër devijimit që po ndodh për shkak se bashkia e Tiranës po u shërben oligarkëve.Banka Europiane e Investimeve i ka kërkuar bashkisë të dëmshpërblejë banorët dhe projekti le të zhvillohet. Edhe ne këtë kërkojmë”.
Ata kërkojnë me urgjencë nga bashkia e Tiranës që para se të nisë punimet të dëmshpërblejë banorët që preken nga shembja.
“Sipas takimit të qershorit 2020 nuk ka me letra dhe pa letra, të gjithë do të trajtohen njësoj sipas bashkisë së Tiranës. Bashkisë nuk i besojmë më.Do të prishësh objektin, vlerësoje dhe kaloji lekët në llogari. Nuk themi sa kushton e zhvilluar kjo pronë, por të paktën jo në rrugë të madhe”.
Mosbesimin ndaj bashkisë Tiranë e lidhin me rastin e Astirit.
“Ata thonë do u prishim shtëpitë, do u japim bonusin e qirasë dhe pas 2 -3vitesh bashkia do të ndërtojë 1 apo dy pallate për të na sistemuar ne. Ne kemi shembullin e qartë te Unaza e Re, asnjë nuk ka marrë bonusin e qirasë të premtuar nga Veliaj. Janë mashtrime dhe propagandë”.
Argumenti i Bashkisë për ndryshimin e projektit është shmangia e përmbytjeve nga lumi Lana por banorët pretendojnë të kundërtën.
“Këtu nuk ka pasur asnjëherë përmbytje. Gjithçka bëhet për pronat pas llamarinës”.
Një apel patën edhe për Bankën Europiane dhe Ambasadorin Soreca.
“I bëj thirrje Bankës Europiane të Investimeve, ambasadorit të BE të mos nxjerrin qytetarët me dhunë nga shtëpitë e tyre. Nëse nuk kanë fond për 300 shtëpi, të kthehet projekti i 2015”.
Lidhur me hapat e mëtejshëm ata thanë.
“Jemi mbledhur më shumë për ta diskutuar me njëri-tjetrin, është takim i banorëve që preken nga ky projekt. Bashkia e Tiranës është në kohën e duhur për të reaguar, gjithçka bëhet për tu shërbyer oligarkëve. Qytetarët përfundojnë në Lanë dhe rrugë të madhe. Ta kthejnë projektin e 2015 dhe të dëmshpërblejnë qytetatët. Kërkojmë mundin dhe djersën tonë. Meqë ka ndryshuar ligji, na dëmshpërbleni ato prona që do të na prishni dhe merrini këto “mos u ngopshi””.