Merrnin 500 euro për provim, pezullohen 7 pedagogë

Këtë të premte, Policia dhe Prokuroria e Elbasanit zbarkoi në fakultetin e Shkencave të Edukimit, aty ku formohen mësuesit e së ardhmes. Pas një hetimi disamujor organi i akuzës ka zbuluar se pedagogët vendosin nota kaluese kundrejt ryshfetit. Në hetim janë pedagogët Ornela Bilali, Zyhra Gripshi, Adrian Shëngjergji, Beatriçe Gani, Edlira Gugu, Florinda Tarusha dhe Monika Hodaj.

Dyshohet se ata kanë shfrytëzuar postin për të ndikuar si tek pranimet e reja ashtu edhe tek nota kaluese e studentëve të mësuesisë. Lidhja mes pedagogëve dhe studentëve kryhej nga Gazmend Hodaj, i cili luante rolin e sekserit. Ata përfitonin nga studentët shuma parash që varionin nga 150 deri në 500 euro.

Hetimet mësohet se kanë nisur gjatë sezonit të vjeshtës, pasi studentët kanë denoncuar marrjen e ryshfetit përkundër notës kaluese. Prokuroria ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës ”detyrim paraqitje” për korrupsion pasiv ndërsa në ambientet e fakultetit, punonjësit e policisë sekuestruan disa dokumente që i shërbejnë hetimit.

SHKARKO APP