Mertiri: Çmenduri, po tentohet të mbyllet një media që thotë të vërteta
Sociologu Ergys Mertiri, i konsideron absurde masat e ISHSH ndaj Rtv Ora. Mërtiri thotë se liria e shtypit prevalon mbi çdo gjë tjetër por kur pastaj një media tentohet të mbyllet se futi më tepër se dy persona në studio është çmenduri. Për sociologut, një pushtet që është ballëhapur nuk ka pse të ketë probleme me lirinë e fjalës.
Deklarata e plotë
Është një lajm i keq në çdo moment kur mbyllet një media, por kur mbyllet dhe kërcënohet nga qeveria është një lajm i keq jo për atë media por për vendin. Jo se media në vetëvete është rëndësia e gjësë, por klima e lirisë dhe mundësia që duhet të ketë një shoqëri për të thënë të vërteta e saj.
Liria e shtypit prevalon mbi çdo gjë tjetër, lërë më pastaj kur kemi të bëjmë me një rast ku televizioni juaj nuk është akuzuar për ndonjë skandal apo problem por akuzohet se nuk ka respektuar një urdhër që Kryeministri e quan ligj, një trill personal i tij që ai i kthen në ligj për të mos pasur më shumë se një të ftuar në studio që është dhe absurd nga logjika.
Në markete a ka më shumë se një person. Pse prania e më shumë se dy vetëve në ekran e përhap virusin, është ekrani pjesëmarrës në përhapjen e virusit? Ka vënë një ligj idiot dhe për këtë fakt kërkon të pezullojë një media që thotë disa të vërteta për qeverinë. Fjala është e fuqishme dhe jo më kot ju godet. Një pushtet që është ballëhapur nuk ka pse të ketë probleme me lirinë e fjalës.
Për të ruajtur shëndetin e popullit që mund ta infektoni ju gazetarët që shani qeverinë nëpër studio ju vendos gjobë për të mirën e shëndetit të popullit. Kjo është absurde dhe banale. Hajde e kuptoj dhe gjobën por çfarë sensi ka të thotë që do të ndaloj transmetimin, është çmenduri e pakonceptueshme.