Merz, Macron dhe Starmer mbërrijnë në Kiev për të nxitur armëpushimin 30-ditor

Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka mbërritur në Kiev me tren, së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer për të nxitur përpjekjet për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.

Tre liderët, së bashku me kryeministrin polak, Donald Tusk, do të takohen sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të vendeve të tyre në kuadër të luftës së vazhdueshme të Rusisë.

Sipas një deklarate të përbashkët, takimi synon gjithashtu të koordinojë përpjekjet për të mbështetur planin për një pauzë 30-ditore në luftime, i cili është paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Së bashku me SHBA-në, ne i bëjmë thirrje Rusisë të bjerë dakord për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor – për të krijuar hapësirën për bisedime mbi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë udhëheqësit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet e paqes sa më shpejt të jetë e mundur, të diskutojmë zbatimin teknik të armëpushimit dhe të përgatitemi për një marrëveshje të plotë paqeje”, shtuan ata.

“Udhëheqësit do të vazhdojnë të rrisin presionin mbi makinën e luftës së Rusisë – derisa Rusia të bjerë dakord për një armëpushim të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratë.

Zelensky tha dje se “koalicioni i të gatshmëve” do të mblidhej në Kiev.

Koalicioni, i përbërë nga rreth 30 vende, udhëhiqet nga Franca dhe Britania e Madhe. Vendet po punojnë për hartimin e planeve për të mbështetur Ukrainën pas një armëpushimi të mundshëm.

Gjatë vizitës në Kiev, udhëheqësit evropianë do të përkujtojnë, gjithashtu viktimat e luftës 3-vjeçare në Ukrainë, e cila filloi pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022. //a.i/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?