Mesazhi i SHBA për Ramën: Ke kandidatë me probleme!

Ambasadorja amerikane Yuri Kim: “Janë tre emra që Sekretari i Shtetit i ka përcaktuar non grata. Jo të gjitha partitë e morën parash kërkesën e SHBA. Tani listat janë në KQZ dhe është detyra e tyre, së bashku me prokurorët që t’i kontrollojnë, t’i vetojnë ata kandidatë. Dhe mendoj që nuk do të habiteshim nëse disa kandidatë do të skualifikohen pas atij procesi. Nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj”.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka paralajmëruar dje përjashtime nga lista të kandidatëve që janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga partitë politike. Në një deklaratë nga qyteti i Elbasanit, diplomatja e SHBA tha në mënyrë të hapur dhe të prerë se kërkesa amerikane për të moskandiduar njerëz me probleme në zgjedhjet e 25 prillit nuk është marrë parasysh nga të gjitha partitë. Diplomatja amerikane la të kuptohet se ka ende një mekanizëm për të mos lejuar kandidimin e njerëzve me probleme duke dhënë sinjale se KQZ dhe prokuroria, pasi të verifikojnë listat mund të nxjerrin jashtë tyre kandidatë problematikë. “Janë tre emra që Sekretari i Shtetit i ka përcaktuar. Nuk do t’ua zë emrat me gojë por mund t’i shihni vetë. Më lejoni të them për çështjen e listave, siç e thamë më herët, pikëpamja e SHBA është bërë e qartë në mënyrë jodiplomatike nga unë. Mendoj që partitë e kanë marrë atë parasysh, jo të gjitha, por shumica e tyre. Tani listat janë në KQZ dhe është detyra e tyre, së bashku me prokurororët që t’i kontrollojnë, t’i vetojnë ata kandidatë. Dhe mendoj që nuk do të habiteshim nëse disa kandidatë do të skualifikohen pas atij procesi”,- tha diplomatja e SHBA.

Emrat që nuk i përmendi Yuri Kim janë ish-prokurori Adriatik Llalla, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi. Nga të tre këta emra vetëm Tom Doshi kandidon në zgjedhje, në aleancë të pashpallur me PS dhe duket se mesazhi i Yuri Kim ishte i qartë. Justifikimi i PS deri më sot për këtë kandidim ka qenë se përfaqësuesi i PSD nuk është i dënuar dhe nuk preket nga ligji i dekriminalizimit, si dhe janë mjaftuar me faktin se nuk do të jetë ministër në rast se Rama fiton sërish. Por Yuri Kim dha dje një tjetër element shtesë lidhur me dekriminalizimin. Sipas saj, fakti që një person është shpallur non ngrata nga DASH, por nuk është dënuar nuk do të thotë se nuk është problematik. “E di që disa mund të thonë se “po, është përcaktuar nga SHBA por nuk është dënuar.” Kjo nuk ka të bëjë me nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por ka të bëjë me nëse Sekretari i Shtetit ka vendosur, pas kërkimit, informacionit, dhe kohës të bollshme që dikush përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj”,- deklaro Yuri Kim. Pas deklaratës së ambasadores së SHBA, anëtarja e PD në KQZ, Helga Vukaj depozitoi një kërkesë ku kërkon mos kandidimin e Tom Doshit duke paraqitur si provë çështje për të cilat ka qenë në hetim në SHBA dhe në Australi. Ndërkohë listat e partive politike dhe kryesisht të PS nuk kanë problem vetëm një emër. Në qarkun e Durrësit, Partia Socialiste ka të paktën tre kandidatë në listë fituese që janë përfshirë në skandale dhe në çështje aferash. Një pjesë e tyre përmenden dhe në përgjimet për vjedhjen e votave në vitin 2017. Ndërkohë dhe në qarqe të tjera nuk mungojnë emra që këto tetë vite i kanë shpëtuar drejtësisë vetëm për shkak të kaosit dhe mungesës së institucioneve të reja. Apeli i Ambasadores Yuri Kim nuk është sfidë vetëm për Edi Ramën. Në situata të ngjashme kryeministri është sjellë si sovranist që nuk pyet për ndërkombëtarët ose i ka fshehur kandidatët me probleme në listat e partive të tjera që garojnë si të pavarur. Deklarata e Ambasadores së SHBA është dhe një test për prokurorinë dhe drejtësinë e re. Nëse emrat problematikë qëndrojnë ende në listat e kandidatëve, edhe pas një thirrje kaq të qartë sa kjo e Ambasadores së SHBA, kjo do të thotë se drejtësia e re nuk pyet më as për ata që e financuan dhe e ngritën, por merr urdhra vetëm nga Rama.

Ndonëse partitë po bëjnë sikur nuk dëgjojnë, por mos harroni se ambasadorja amerikane nuk dorëzohet dhe do ta çojë deri në fund kërkesën e saj kundër emra të inkriminuar. Bile mësohet se SPAK mund të arrestojë dy deputetë para 25 prillit

Mili Xhani

SHKARKO APP