Mesha e parë katolike, Berisha: Rama të kërkonte falje

 

Kryeministri Rama ka qenë në Shkodër këtë të mërkurë, ku ishte i ftuar në përkujtimin e meshës së parë katolike në Shqipëri, pas rënies së diktaturës komuniste.

“Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shoqëruar fjalën e Dom Simonit ka qenë momenti i parë, për të gjithë ata që ishin këtu, i çlirimit nga ankthi dhe i përjetimit të së vërtetës se e shkuara ishte tretur në të shkuarën dhe se e ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave,” tha Rama.

“Fjalët e para liturgjike të belbëzuara nga Dom Simon teksa niste meshën e parë në Shqipërinë ku atë ditë këtu rilindi Zoti. 25 vite nga ndajnë nga ajo ditë, po aq sa vite ndanin nga viti 1967, gjatë së cilit At Zef Pllumbi kujton se meshtarët fshihnin enët e shenjta të kultit nga përdhosja e barbarisë.

Me ato mjete është shfaqur në 4 nëntor 1990 Dom Simon Jubani së bashku me një popull të dendur dhe të mbledhur grusht njëri pas tjetrit si për të përballuar ankthin e momentit të parë dhe të bashkuar në etjen për lirinë e ndërgjegjes.

Brenda këtyre mureve ndodhi një nga ato dukuritë e rralla shpirtërore dhe morale, që për fatin tonë të keq ne shqiptarët dukemi të destinuar t’i përjetojmë në forma jo të zakonshme dhe po ashtu duke i përjetuar në kohë në dukje të zakonshme, ndjesira që i kanë përjetuar njerëzit shumë kohë më parë.

U ripërtërit duke nisur nga këtu e në gjithë Shqipërinë një histori martirizimi unike, jo vetëm për kishën, por për gjithë besimit.

Në këto varreza dhe në këtë tempull kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë u bë tharmi i emancipimit të një kombi të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi kohët pas meshës së 4 nëntorit,” tha kryeministri.

“Historia mund të shkruhet gjithsesi dhe sidoqoftë mbi historinë ata që e jetojnë kanë këndvështrime të ndryshme, por unë besoj se historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri filloi atë ditë këtu dhe pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani,” theksoi Rama.

Për këtë ngjarje reagoi edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.

“Si sot 25 vjet më parë, në Shqipëri u rikthye e drejta e shprehjes dhe liria e ndërgjegjes, me një akt historik të kurajos civile të Dom Simon Jubanit, me meshën që mbajti në varrezat e Shkodrës.

Mesha e Dom Simon Jubanit i dha zemër të gjithë besimtarëve të Zotit dhe ishte një goditje në zemrën e regjimit komunist që i kishte privuar qytetarët nga liritë e të drejtat themelore.

Pas kalvarit të terrorit dhe burgosjes të mijërave që guxuan të shprehnin adhurimin ndaj Zotit, mesha e 4 nëntorit rihapi për shqiptarët rrugën e lirisë së besimit, lirisë së shprehjes dhe lirive politike.

Nderim të përjetshëm për Dom Simon Jubanin dhe veprën e tij. Nderim për klerin shqiptar të të gjitha besimeve që mbajti të ndezur flakën e besimit në Zot,” tha Basha.

Megjithatë ish-kryeministri Sali Berisha e politizoi këtë moment, teksa tha se Edi Rama duhej të kishte kërkuar falje sot.

“Sot fjalen e rastit per kete ngjarje e mbajti Edvin Kristaq Rama, pasardhes direkt i bllokmeneve hoxhist, biri i njerit prej arkitekteve kryesor te genocidit kulturor, shkaterrimit te mijera e mijera kishave, xhamive, teqeve te Shqiperise dhe nipi i njerit prej bllokmeneve me te eger te diktatures 45 vjeçare, xhelatit te inteligjences teknike shqiptare Spiro Koleka.

Sot ishte rasti, qe ne vend te ligjerates se tij, Edi Rama duhet te kerkonte ndjese shqiptareve per vepren makabre te babait te tij shpirteror, babait te tij bilogjik, dajes se tij xhelat, per genocidin njerzor,kulturor, fetar qe kryen ndaj kombit shqiptar.

Edi Rama sot duhet te kerkonte ndjese sepse sipas akuzave te bazuara te Fatos Nanos ai ka shitur ikona te vjedhura nga keto monumente te shkaterruar nga eterit e tij.

Por ndjesa ka ne themel pendesen e njeriut te qyteteruar, por te kerkosh ndjese dhe pendese tek Edi Rama eshte njelloj si te kerkosh eskimez ne shkretetire!” shkroi Berisha në FB.

SHKARKO APP