Meshkujt, pension më të lartë – Në 9 muaj, u lidhën mbi 18 mijë kontrata të reja
Në 9 muajt e parë të vitit 18,594 individë kanë dalë në pension, duke përfituar edhe mbështetjen financiare nga shteti. Në këtë shifër përfshihen pensionet e pleqërisë, nëna me shumë fëmijë dhe pensionet e reduktuara.
Sipas raportit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numrin më të lartë e përbëjnë meshkujt, me 10.489 pensione të reja të lidhura gjatë kësaj periudhe, ndërsa femra regjistrohen në 8105 përfituese.
Edhe nga masa e pensionit të përfituar, duket se meshkujt kryesojnë, pasi për pensionet e pleqërisë, mesatarja për gjininë mashkullore është afro 16 mijë lekë ndërsa për gjininë femërore rreth 13 mijë lekë.
Masa e pensionit lidhet drejtpërdrejt edhe me pagën që kanë pasur dhe sasinë e kontributeve të derdhura.
Gjatë periudhës Janar-Shtator, numri më i lartë i pensioneve të lidhura regjistrohet në Tiranë, e ndjekur nga Fieri, Korça, Vlora, Elbasani dhe Durrësi, ndërsa më pak janë lidhur në Kukës. /Scan