Mësues pedofilë në shkolla, shteti pa fuqi ligjore
Studime të organizatave në mbrojtje të fëmijëve tregojnë për një shifër prej 2500 nxënës të ngacmuar seksualisht, por këtu përfshihen edhe ngacmimet nga bashkëmoshatarët.
“Pavarësisht se fëmijët kanë filluar të denoncojnë ngjarje të ngacmimeve seksuale, ende shikojmë një mungesë veprimi totale nga ana e përgjegjësve, ministra, zv.ministrat dhe të gjithë drejtorët e drejtorive arsimore për të gjetur zgjidhje”, tha Altin Hazizaj, Drejtori i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA).
Rasti i mësuesit në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori” në Berat, që rezultoi se ishte i dënuar për ngacmim seksual u zbulua vetëm pas denoncimit të vetë nxënësve. Ministrja e Arsimit vendosi largimin nga puna dhe hetim administrativ për përgjegjësit e punësimit të tij.
Drejtoria Arsimore e Beratit reagoi duke theksuar se mësuesi ishte punësuar sipas ligjit. Po çfarë parashikon ligji për punësimin e mësuesve? Pas shpalljes së vendit vakant, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për mësues zëvendësues, thotë se ai do zgjidhet përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Drejtoria Arsimore thekson se u detyrua të pranojë kandidatin e vetëm Engjëll Bregu, i cili kishte çuar dosjen fizike në Drejtorinë Arsimore. Që prej vitit 2014 personi kishte një dëshmi penaliteti si “i padënuar”. Ai kishte qenë i punësuar me kontratë në disa shkolla të tjera të Beratit.