Meta dhe Basha urojnë Talat Xhaferrin për marrjen e detyrës si kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe kreu i PD zyrtare, Lulzim Basha kanë uruar Talat Xhaferin, i cili do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Me anë të një postimi në Facebook, Meta shprehet besimplotë se me lidershipin e tij qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
URIMI I METËS
Urimet më të përzemërta dhe shumë suksese Qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, Talat Xhaferi! Besimplotë se me lidershipin e tij dhe angazhimin e dëshmuar gjithpërfshirës dhe bashkëpunues, pa dallim etnik dhe politik, Qeveria e re do të hedhë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në funksion të perspektivës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
URIMI I BASHËS
“Urime të përzemërta Talat Xhaferi, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmeti, kjo do të ishte e pamundur. Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur.”