Meta: Fitorja e Ketit do t’i jepte shkodranëve investime të papara

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta mori pjesë në takimin përmbyllës të fushatës së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Velipojë së bashku me kandidaten e këtij koalicioni për Bashkinë e Shkodrës Keti Bazhdari.Të pranishëm ishin edhe Kryetari i PS-së Edi Rama, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe deputetët Mimoza Hafizi, Agron Çela dhe  Namik Dokle.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ftoi shkodranët të votojnë Keti Bazhdarin, në mënyrë që, bashkia e Shkodrës të mos kthehet në një bunker partiak ku opozita të vijë të japë konferenca shtypi për të sharë qeverinë në Shkodër. Z. Meta shprehu bindjen se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” me Keti Bazhdarin do të arrijë një sukses historik për Shkodrën për t’i dhënë krah ëndrrave dhe aspiratave të të rinjve dhe të rejave për të realizuar projektet e tyre.

“Fitorja është e jona! Dhe vetëm 72 orë punë deri në sekondën e fundit, deri në votën e fundit, dhe aleanca për Shqipërinë evropiane me Keti Bazhdarin do të arrijë një sukses historik për Shkodrën për t’i dhënë krah ëndrrave dhe aspiratave të të rinjve dhe të rejave, Velipojës, të Nënshkodrës dhe të gjithë bashkisë së madhe të Shkodrës për të realizuar projektet e tyre. Dje e gjithë Shkodra ka qeshur kur çifti Luli-Mediu doli të merrte nëpër gojë kandidaten tonë, se për ne nuk ka problem. Po këta, mendjelehtë, a mendojnë këta që shkodranët mund t’i besojnë një njeriu që gënjen për qejf, se nga halli dhe gënjen njeriu, por Luli gënjen edhe për qejf. Edhe vetë demokratët e Shkodrës thonë se ai të gënjen edhe kur të tregon orën”, – nënvizoi z. Meta.

“Dhe doli dje me Mediun, kur e gjithë Shkodra dhe e gjithë Shqipëria e mban mend se çfarë tha Mediu para se të fillonte fushata, kur Luli e gënjeu për Durrësin, dhe Mediu tha na ka mashtruar Lulzim Basha, se na ka dhënë fjalën që do të kandidojë Agron Duka në Durrës dhe tani nuk e mban fjalë. Atëherë kur Luli gënjen aleatin më besnik të PD, Fatmir Mediun, a ka turp e cipë Luli që të mos gënjejë dhe Shkodrën dhe shkodranët? Ndaj, me 21 qershor, Shkodra nuk do të votojë që bashkia të kthehet në një bunker partiak, ku Basha që del nga zyra në Tiranë më 21 qershor, të vijë të jap konferenca shtypi për të sharë qeverinë këtu në Shkodër. Sepse Shkodra nuk mund të ngelet peng i konfliktit partiak. Sepse Bashkia e Shkodrës duhet të hapet një herë e përgjithmonë për të gjithë qytetarët e saj pa asnjë dallim partiak. Dhe këtë hapje, këtë transparencë, këtë përfshirje, e realizon vetëm një kandidate, e cila do të jetë kryetarja e ardhshme e bashkisë së Shkodrës, Keti Bazhdari”, – deklaroi z. Meta.

Ndërkaq, Lideri i LSI-së theksoi se pas 22 qershorit do t’i jepet jetë të gjithë atyre projekteve që ka nevojë Shkodra, për të realizuar rrugë e standarde bashkëkohore që do të lidhin Velipojën me Ulqinin e me Shëngjinin dhe duke e kthyer këtë vend në një nga perlat më të shkëlqyera jo vetëm të bregdetit tonë, për të gjithë Adriatiku.

“Shkodrës nuk i duhet kënga ‘Rama-Meta ka mbaru’, sepse Shkodra e di shumë mirë që Rama-Meta akoma s’kanë filluar, por më 22 qershor do të fillojë këtu në Shkodër për t’i dhënë jetë gjithë atyre projekteve që ka nevojë Shkodra. Për të realizuar superstradën Velipojë-Shkodër, për ta lidhur Velipojën me Ulqinin, për ta lidhur Velipojën me Shëngjinin që do të jetë një nga perlat më të shkëlqyera jo vetëm të bregdetit tonë, për të gjithë Adriatiku. Prandaj motra dhe vëllezër të Velipojës dhe Nënshkodrës, motra dhe vëllezër të Shkodrës, mos votoni për atë që gënjeu edhe aleatin më besnik, Fatmir Mediun. Ndaj i ftoj edhe republikanët e Shkodrës që për të ruajtur dinjitetin e Fatmirit që e gënjeu Luli, të votojnë për Keti Bazhdarin. Fitorja e Shkodrës do të jetë fitorja më e bukur, por njëkohësisht, jam i sigurt që në katër vjet Shkodra do të përjetojë transformimin më të madh ndër 61 bashkitë e reja të Shqipërisë. Prandaj, me kulturë, me qetësi dhe me dashuri, për Velipojën dhe për Shkodrën të votojmë për Keti Bazhdarin në 21 qershor”, – tha Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta në fjalën e tij .

Kryetari i PS-së, z. Edi Rama u shpreh se ka rëndësi të madhe që Shkodra të zgjedhë Keti Bazhdarin, sepse nga kjo zgjedhje nuk do të fitojnë vetëm ata që janë socialistë, por do të fitojnë edhe ata që janë demokratë.

“Ka rëndësi të madhe që Shkodra të zgjedhë Keti Bazhdarin, dhe pse nga zgjedhja për Keti Bazhdarin nuk do të fitojnë vetëm ata që janë socialistë, por do të fitojnë ata që janë demokratë pasi kuptohet, e kam fjalët për njerëzit e zakonshëm. E kam fjalën për ata të cilët janë demokratë, por nuk janë pjesë e familjeve të mëdha të PD-së që e mbajtën Shkodrën peng për vite të tjera dhe që e katandisën në një pikë ku realisht Shkodra nuk e ka merituar kurrë. Flas për demokratët të cilët në 21 qershor do të duhet të bëjnë një zgjedhje midis nevojave dhe problemeve që shqetësojnë familjen e tyre, jashtë mureve të shtëpisë, qoftë në qyteti, qoftë këtu në Velipojë, qoftë në të gjithë territorin e bashkisë së re të Shkodrës dhe Partisë Demokratike që në këtë rast, përfaqësohet nga një person për të cilin unë nuk kam çfarë ti shtojë atyre që tha kryetari, por mund të them vetëm që është gënjeshtari më i madh që ka lindur, është rritur dhe ka gënjyer në Shqipëri në të gjithë historinë e Shqipërisë”, – tha z. Rama, teksa theksoi se Velipoja është një territor strategjik për zhvillimin urban, ekonomik dhe social të Shkodrës.

“Një arsye tjetër pse ne erdhëm sot këtu është, sepse Velipoja për ne në këndvështrimin tonë, por edhe duke mbështetur programin e Keti Bazhdarin është një territor strategjik për zhvillimin urban, ekonomik dhe social të Shkodrës dhe unë kam kënaqësinë që t’ju them se për herë të parë në historinë e vet, Velipoja, në këtë sezon do të ketë ujë 24 orë. Ne besojmë te programi i Ketit dhe ne besojmë që Keti ka vënë jo vetëm Shkodrën mbi çdo interes tjetër në programin e vet, por ka vënë në atë program investimin e shumë mendjeve, e shumë ekspertëve shkodran, jo shkodran, edhe të huaj dhe ne do ta mbështesin realizimin e atij programi me vendosmërinë më të madhe sepse Bashkia e re e Shkodrës është nj territor me potenciale të jashtëzakonshme”, – shtoi Kryetari i PS-së.

Z. Edi Rama ftoi qytetarët e Shkodrës të votojnë programin e kandidates së ASHE-së, znj. Keti Bazhdari, që sipas tij ka një ndër programet më të detajuara dhe do të gjejë veten çdo shkodran që nuk vë interesat e SHQUP-it mbi interesin e familjes së vet. Gjithashtu, Z. Rama renditi edhe disa nga projektet infrastrukturore për të cilat qeveria angazhohet të investojë në Shkodër.

“Ne ndërkohë po shqyrtojmë edhe projektin e rrugës së re që do të lidhë Shkodrën me Velipojën, ashtu sikundër kemi filluar edhe diskutimet me qeverinë e Malit të Zi për të bërë një punë të përbashkët për të forcuar lidhjen me infrastrukturë, por jo vetëm në infrastrukturë, midis kësaj ane të kufirit dhe asaj ane të kufirit, midis Velipojës dhe Ulqinit dhe nga ana tjetër jemi shumë të vendosur që t’i japim një nxitje të madhe zhvillimit urban, ekonomik dhe social, që nga bregdeti këtu deri lart në Alpe”,- tha deklaroi z. Edi Rama.

Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Shkodrës, znj. Keti Bazhdari tha se kjo nuk është një garë për të prodhuar një bastion të ri politik, por është një garë që do ta nxjerrë Shkodrën nga bunkeri i militantizmit politik dhe t’i japë shanse qytetarëve aktivë të saj, që të gjithë së bashku të punojmë për ta ndryshuar dhe për të furnizuar Bashkinë e Shkodrës me energji të reja, të mbështetura fuqishëm nga qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

“Unë jam para jush e qartë se çfarë do të bëj për Bashkinë e re të Shkodrës. Jam e qartë për planin e zhvillimit të bashkisë, për investimet që ka nevojë dhe për të ardhmen e menaxhimit të bashkisë së Shkodrës si një njësi ekonomike dhe administrative që do të dijë t’i tregojë vlerat e saj të gjithë Shqipërisë. Në krye të punës për të ndërtuar superstradën Shkodër-Velipojë si dhe rrugën Shkodër-Dukagjin. Turizmi do të jetë kali i betejës sonë duke kombinuar bregdetin e shkëlqyer të Velipojës me turizmin malor të Dukagjinit, me turizmin kurativ, me një park të madh argëtimi dhe sportesh elitare në Velipojë si dhe një port të vogël jahtesh në zonën e Dajçit. Velipoja do të trefishojë periudhën e saj të sezonit turistik me alternativa të tjera përtej plazhit”, – deklaroi znj. Bazhdari, duke zbuluar më tej programin e saj që do t’i japë një shtysë të madhe sipërmarrjes dhe bujqësisë në Bashkinë e re të Shkodrës.

“Do të ndërtojmë qendrën më të madhe në rajon të prodhimit dhe tregtimit të produkte artizanale me impakt punësimin e disa qendra personave të cilët sot e ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë sporadike dhe pa garanci tregu. Do të ndërtojë pikën frigoriferike të grumbullimit të produkteve bujqësore më të madhe në vend e cila do të jetë një orientuese e mirë e tregut dhe e prodhuesit. Prodhimet tuaja nuk do të kalben më në presionin e nevojave të tregut, por do të jenë në garancinë dhe ruajtjen e këtyre magazinave frigoriferike. Do të ngremë disa tregje të reja dhe moderne përfshirë edhe atë të produkteve bujqësore, në mënyrë që produktet të mos tregtohen më jashtë standardeve ligjore dhe atyre higjenike. Do të ofrojmë hapësira falës dhe tarifa zero për të gjithë të rinjtë sipërmarrës. Do të ndërtojmë terminalin e autobusëve të veriut dhe do të lidhim çdo njësi vendore me qendrat shëndetësore. Besimi që do më jepnin do t’ua kthej dhe shpërblej me punë. Besoj tek të punuarit fort që nuk më ka lënë kurrë në baltë, ndaj ju bëj thirrje që të gjithë së bashku të zgjedhim drejtimin e duhur”, – u shpreh ndër të tjerash kandidatja e “ASHE”-së, z. Keti Bazhdari. 

SHKARKO APP