Meta: Maska domosdoshmëri, por gjobitja e qytetarëve maskaradë e Qeverisë
Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, Presidenti i Republikës Ilir Meta ndërsa e cilëson të domosdoshëm mbajtjen e maskave mbrojtëse në masivitet si domosdoshmëri, deklaroi se akti i qeverisë për të gjobitur qytetarët që nuk mbajnë maska është maskaradë.
Kreu i shtetit tha se ishte i shqetësuar për atë që po ndodh me shqiptarët dhe i kërkoi kryeministrit Rama e Kuvendit të reflektojë. “Masat e marra nga ekspertët janë të mirëpritura, por akti që gjobit qytetarët për mosmbajtje maskash është një maskaradë, shkel në mënyrë flagrante liritë e qytetarëve, i kërcënon se mund t’i lërë pa dritra deri në fund të dimrit, e shndërron OSHSE në instrument policor dhe elektoral, nuk është zgjidhje t’i lësh njerëzit pa drita, e kur të mos paguajnë dot fatura t’ju presësh dritat? OSHEE ka funksion të furnizojë me energji në mënyrë të pandërprerë, jo të presë dritat në rast se qytetarët nuk paguajnë gjobat. Akti ka qëllim dashakeqës, do të bëjë me precedentë penalë shqiptarët e të përfundojnë në dyert e prokurorisë dhe gjykatave. Qeveria të reflektojë, Kuvendi po ashtu ta ndryshojnë atë”,- tha Presidenti.
Presidenti tha më tej se: “Maskat duhet t’i mbajmë për të mbrojtur veten e të afërmit, jo për t’i shpëtuar ndëshkimit të qeverisë. Përballimi i pasojave të pandemisë kërkon koherencë e bashkëpunim, jo rregulla arbitrare, ndëshkime të paligjshme e të paqarta. Qeveria duhet të nxjerrë rregulla që e nxisin shoqërinë për bashkëpunim dhe jo të mbjellë frikë e ndëshkime”.