Meta: Mos harroni se vota për Ketin është votë për komunitetin

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në një miting madhështor në ku kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë Shkodër,Keti Bazhdari prezantoi programin e saj para qytetarëve shkodranë.

Të pranishëm në këtë miting ishin dhe Kryetari i PS-së Edi Rama si dhe deputetët e Qarkut të Shkodrës, Agron Çela,  Mimoza Hafizi, z. Namik Kopliku dhe Paulin Sterkaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, u shpreh se të gjithë shkodranët do të nisen më 21 qershor, me kulturë, me qetësi, me dashuri për të votuar për Keti Bazhdarin. Z. Meta deklaroi se Shkodra dhe Velipoja nga Thethi në bregdet do të votojnë si evropianët me dashurinë e pafund që kanë për të ardhmen e Shkodrës së tyre.

“Edhe pak ditë dhe ne të gjithë do të nisemi në 21 qershor me kulturë, me qetësi dhe me dashuri për të votuar për Keti Bazhdarin. Shkodra dhe shkodranët nga Velipoja në Theth do të shkojnë të votojnë si europianë dhe si demokratë të vërtetë në emër të dashurisë pafund që kanë për të ardhmen e Shkodrës së tyre. Keti Bazhdari nuk ka limite në pasionin dhe në dashurinë e saj për Shkodrën dhe për shkodranët. Kjo është arsyeja se ne mbështesim fort, sepse te projekti i Ketit ne shohim të ardhmen e këtij komuniteti të shkëlqyer. Shkodra është lodhur me kryebashkiakët partiakë dhe nuk ka nevojë për një kandidatë partiak. Përkundrazi, Shkodra ka nevojë për produktin e saj më të mirë sipërmarrës, për Keti Bazhdarin në mënyrë që t’i japë zgjidhje përmes bashkëpunimit dhe jo përmes konfliktit politik problemeve të mëdha që ka Shkodra dhe që kanë shkodranët”, – tha z. Meta.

Lideri i LSI-së u shpreh se alternative partiake e krahut tjetër premton vetëm konflikt politik që nuk është në interes të Shkodrës dhe të gjithë komunitetin shkodran, ndërsa premtoi se me Keti Bazhdarin do t’i jepet zgjidhje problemeve më akute që ka ky qytet.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se ende mjaft familje shkodrane ndeshen me vështirësitë të mëdha në jetën e tyre të përditshme, por me Keti Bazhdarin ne do t’i zgjidhim këto problem më shpejt dhe më mirë. Ne kemi respekt për të gjithë kandidatët, por dhe mendoj që është një gjë shumë e mirë që kemi dy kandidate, dy zonja këtu në Shkodër, por këtu do jetë fjala për të ardhmen e Shkodrës, këtu bëhet fjala për zgjidhjet e problemeve që ju keni, për t’i pakësuar ato çdo ditë dhe jo për t’i shtuar ato çdo ditë për llogari të konfliktit politik dhe të kreut të këtij konflikti në Tiranë”, – tha z. Meta duke theksuar se Shkodra nuk mund të jetë më peng i konfliktit politik.

“Shkodra do të jetë vendi ku projektet do të realizohen me shpejtësi, pasi Keti Bazhdari ka treguar se është një administratore e aftë. Keti Bazhdari nuk është një produkt partie, Keti Bazhdari është produkt i komunitetit të Shkodrës dhe jam i bindur se komuniteti i Shkodrës duke votuar për Ketin ka votuar për ta bashkuar Shkodrën për t’i zgjidhur problemet e shkodranëve pa paragjykime partiake si deri më sot. Duke votuar për Keti Bazhdarin, t’i japim fund një bashki-partie këtu në Shkodër, të hapim bashkinë për qytetin dhe për të gjithë komunitetin. Mos harroni se votat për Ketin është votë për komunitetin dhe për këtë bëhen zgjedhjet e 21 qershorit”, – theksoi z. Meta.

Sakaq, Kryetari i LSI-së tha para mijëra shkodranëve të mbledhur në qendër të qytetit se 21 qershori është moment historik dhe se Keti Bazhdari është personi i duhur për të implementuar reformën administrative-territoriale dhe për ta menaxhuar me aftësi, me vizion, me përkushtim dhe përmes frymës së bashkëpunimit këtë bashki të jashtëzakonshme.

“Është moment historik 21 qershori, jo thjesht për fitoren e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’, por është moment historik sepse na duhen kryebashkiakët dhe kryebashkiakja më e aftë këtu në Shkodër për ta implementuar reformën administrative-territoriale dhe për ta menaxhuar me aftësi, me vizion, me përkushtim dhe përmes frymës së bashkëpunimit këtë bashki të jashtëzakonshme nga Velipoja e deri në Theth dhe këtë mund ta realizojmë më së miri me Keti Bazhdarin. Jo vetëm përfundojmë rrugën deri në Theth, jo vetëm të ndërtojmë superstradën që lidh Shkodrën me Velipojën, por ta lidhim Velipojën edhe me Ulqinin, edhe me Shëngjinin”, – vijoi z. Meta.

Në fund të fjalës së tij, Kryetari i LSI-së deklaroi se përkrahja e mazhorancës do të jetë pa limite për Ketin, sepse është pa limite për Shkodrën dhe se të gjithë do të krenohen me zhvillimin e Shkodrës nën drejtimin e Bazhdarit.

“Përkrahja jonë do të jetë pa limite për Ketin sepse është pa limite për Shkodrën. Ju do të krenoheni me Ketin dhe ne do të krenohemi me zhvillimin e Shkodrës nën drejtimin e saj dhe me mbështetjen e jashtëzakonshme që ju jepni sot dhe do t’i jepni gjatë këtyre ditëve deri në mbrëmjen e 21 qershorit. Do të doja të flisja dy ditë sepse ky shesh nuk ka qenë asnjëherë kaq i bukur me këto vajza dhe me këta djem të shkëlqyer që e shohin të ardhmen e tyre te projektet e Keti Bazhdarit dhe këto nëna të jashtëzakonshme që mbështesin sot Keti Bazhdarin sepse duan të ardhmen e fëmijëve të tyre. Por koha është e kufizuar. Prandaj edhe njëherë, ju ftoj të nisemi drejt 21 qershorit me kulturë, me qetësi dhe me dashuri për Shkodrën dhe të votojmë Keti Bazhdarin”, – u shpreh Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

Kryetari i PS-së, z. Edi Rama u shpreh entuziast për mikpritjen në qytetin e Shkodrës dhe shprehu besimin se kjo do të reflektohet edhe në rezultatin zgjedhjeve të 21 qershorit.

“Kam patur ditën më të vështirë të fushatës sepse sot kam ndaluar vetëm në vende ku nuk ka ndryshuar asgjë, sepse kam ndalur vetëm në bashki ku ka drejtuar PD, që nga Fushë-Arrëzi, në Puke, në Malësi të Madhe dhe tani këtu në Shkodër. Këto vende nuk kanë asnjë lidhje me ato bashki ku drejtojnë socialistët dhe progresistët, ku ka nisur të fryjë era e ndryshimit këto 18 muaj. Sigurisht në ato bashki ka qenë nxitja dhe forca e projekteve që ka sjellë ndryshimin, por edhe vullneti i kryetarëve të bashkive dhe padyshim edhe forca mbështetëse e qeverisë. Në ato bashki ku ka drejtuar PD, theksoi Kryeministri Rama, “nuk ka pasur asnjë përpjekje për të kërkuar nga qeveria bashkëpunim dhe për të vënë në jetë atë ndryshim që sot ndjehet dhe shihet në çdo bashki të drejtuar nga socialistët” , – tha z. Rama.

Në vijim të fjalës së tij, z. Rama solli një shembull, të ndryshimit mes ofertës së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe opozitës.

“E vetmja gjë që mbaj mend dhe do të mbaj mend gjatë nga bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës, është që na u desh 3 javë për të marrë çelësin e stadiumit për të nisur punën. Tre javë për një çelës që hapte një derë hekuri për të hyrë në një pellg, ku prej shumë vitesh hyjnë e dalin sportdashësit më të zjarrtë të këtij vendi dhe talente, që vetëm Shkodra e Vllaznia kanë nxjerrë në këto vite. Tre javë për një çelës për të nisur një investim për Shkodrën, shkodranët, ekipin tonë kombëtar, imagjinoni nëse i duhen 3 javë për të dorëzuar një çelës, sa u duhet për të dorëzuar një projekt?”, – deklaroi z. Rama.

Kryetari i PS-së theksoi para qytetarëve të Shkodrës se në 21 qershor do të votohet për zgjidhjen e problemeve të komunitetit. “Një fushatë që tregon se 21 qershori është i rëndësishëm për familjen e gjithsecilit, pavarësisht nëse në familje ka anëtarë të PS, LSI, PD apo kujtdo partie. Këto zgjedhje janë për familjen që ka nevojë për bashkinë kur del nga dera e shtëpisë”, – u shpreh z. Rama.

Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për bashkinë Shkodër, znj. Keti Bazhdari falënderoi qytetarët për mbështetjen, ndërsa shprehu bindjen e saj se Shkodra këtë herë do të zgjedhë drejtimin e duhur dhe nuk do të mbetet bastion i politikës që e ka mbajtur peng për 25 vite.

“Pas një pune të jashtëzakonshme me shumë intensitet, duke dëgjuar çdo zë të arsyeshëm, duke u konsultuar dhe duke përfshirë gjithkënd me shumë përkushtim dhe profesionalizëm i dhamë jetë një projekti për të cilin sot jam krenare dhe them se është projekti i shkodranëve për Shkodrën. Më bëtë të kuptoj se secilit nga ne i jepen mundësitë në jetë për tu bërë më i mirë. Ju jam mirënjohëse për mbështetjen që më jepni. Unë e ndiej se Shkodra ka zgjedhur këtë herë të mos jetë më një bastion i keqpërdoru nga politika që e ka mbajtur peng për 25 vite. Të mos dëgjojë më protagonistët e diktaturës tashmë të veshur me petkun e demokratit, të mos gënjehet më nga ata që nuk përfaqësojnë gjë tjetër përveçse mbetjet e fundit të atij sistemi që shqiptarët e larguan 25 vite me parë”, – tha znj. Bazhdari, teksa shtoi se Shkodra ashtu si Tirana e ka kuptuar shumë qartë se nuk ka nevojë të humbasë edhe katër vite të tjera.

“Jam këtu t’i premtoj qytetarëve të mi dhe të garantoj se Shkodra nuk do të jetë më peng i politikës. Shkodra kurrë më nuk do të radhitet ndër qytetet më të në varfra në Shqipëri, ku niveli i papunësisë është 24 %, ndërsa edhe më i frikshëm plot 50% e të rinjve sot enden rrugëve të papunë jo se nuk duan punë por sepse politika shterpë, e përçarjes, politika e doktrinave për 25 vite e kishte mendjen te puna e saj dhe jo te puna e qytetarëve të saj. Angazhohem të hap dyert e bashkisë dhe t’i bëj transparente vendimet e saj, njerëzit meritojnë jo thjesht të dinë se çfarë vendimesh merren për ta, ata meritojnë të vendosin vetë se çfarë është më e mira për ta. Unë nuk do të arrë asnjë vendim të rëndësishëm pas dyerve të mbyllura, por ju do të jeni pjesë e vendimeve që do të marrim bashkë. Këtë gjë e kam bërë kur hartuam programin dhe këtë gjë do e bëjmë nesër si kryetare e bashkisë”, – theksoi kandidatja e së majtës.

Më tej, znj. Bazhdari shtoi se e veçanta e programit të saj është të garancia për t’i sjellë Shkodrës më shumë zhvillim ekonomik, më shumë punësim më shumë mirëqenie sociale. Gjithashtu, ajo u zotua se do të realizojë investime të rëndësishme për t’i dhënë një shtysë të madhe turizmit në Shkodër.

“E veçanta e programit tim nuk është te numri i premtimeve. Por te fryma dhe garancia për t’i sjellë Shkodrës më shumë zhvillim ekonomik, më shumë punësim më shumë mirëqenie sociale. Ju jeni arsyeja pse unë jam në këtë garë dhe ju jeni motivi pse unë duhet ta fitojë këtë garë. Do t’i japim zhvillim turizmit malor, detar, historik dhe kulturor duke ndërhyrë qoftë me investime direkte qoftë përmes bashkëpunimit publik-privat duke bërë investime të përbashkëta si kompleksi i skive, pikat e turizmit kurativ në alpe një park i madh argëtimi me sporte elitare në Velipojë, i cili do të shoqërohet nga një mol jahtesh në zonën e Dajçit”, – u shpreh znj. Keti Bazhdari ndërsa premtoi se do ta bëjë Shkodrën bashkinë ku të gjithë do donin të jetonin. “Do krijojmë mundësi të reja për një formim sa më të plotë për të përballuar sfidat e jetës. Shkolla të sigurta, kopshte të sigurta. Së bashku do ja dalim ta bëjmë Shkodrën bashkinë ku të gjithë do donin të jetonin”, – tha znj. Bazhdari.

Mitingun e përshëndeti edhe deputeti i LSI-së për Qarkun Shkodër, z. Agron Çela, i cili kërkoi votat e shkodranëve për Keti Bazhdarin, si një model suksesi.

“Paskam shumë emocione se kam shumë njerëz nuk kam parë ndonjëherë edhe kur kam qenë president i Vllaznisë. Por emocionet mi heq Keti Bazhdari, të cilën e kam mikeshë të vjetër, shoqe të vjetër dhe me Ketin jemi përballur me sfida të vështira, kemi udhëhequr biznese, duke ia dalë me sukses, por Keti është e veçantë, është më e suksesshmja ndër të gjitha gratë dhe vajzat që ka sot qyteti jonë. Të votojmë për Ketin, të gjitha vota e shkodranëve duhet të shkojë për Ketin, që më 21 qershor t’i bëjmë një dhuratë koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”’ fitoren e Keti Bazhdarit në Shkodër”, – deklaroi z. Agron Çela.

 

 

 

SHKARKO APP